Ahmeti fajëson MPB-në dhe Policinë për dëmet e mbrëmshme

Kosova

Ahmeti fajëson MPB-në dhe Policinë për dëmet e mbrëmshme

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 15:44

Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk e kanë befasuar dëmet që janë shkaktuar nga protesta e natës së kaluar në kryeqytet.
Rrugët dhe sheshet kryesore të Prishtinës kanë qenë të stërmbushura me gurë, mbeturina dhe kontejnerë si pasojë e protestave të mbrëmshme të mbështetësve të partive opozitare në kërkim të lirimit të deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Por Ahmeti, i cili vjen nga e njëjta parti, thotë se kompanitë e pastrimit të rrugëve të qytetit kanë ndërmarrë masat për t’i larguar mbetjet nga rrugët.
“Sot i kemi marrë të gjitha veprimet për pastrimin e të gjitha rrugëve. Nuk ka kosto shtesë për Komunën e Prishtinës, sepse ne jemi në kontrata me kompani të ndryshme për pastrimin e kryeqytetit, tashmë janë pastruar të gjitha pjesët të cilat kanë qenë të përfshira në protestat e djeshme”, tha Shpend Ahmeti.
Ndërsa për dëmet e shkaktuara ndaj ndërtesës së stacionit të policisë, Ahmeti tha se kjo është çështje për me të cilën duhet të merren MPB dhe Policia.
Përveç dëmeve ndaj stacionit të policisë, mbrëmë janë dëmtuar e djegur edhe disa vetura zyrtare.
Ahmeti tha se Prishtina sa ka të mira nga e të qenit kryeqytet, ka edhe rastet e protestave që ndodhin ose festimeve të ndryshme.
“Kjo është kostoja e të qenit kryeqytet. Ne e patëm para dy netëve festimet për kombëtaren, natyrisht që pas asaj ngjarje që festohet në të gjithë qytetin ka shumë punë për pastrim, po e them kjo është kostoja e të qenit kryeqytet”, u shpreh Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat