​Interesim i lartë për vaksinën kundër gripit në Ferizaj

Kosova

​Interesim i lartë për vaksinën kundër gripit në Ferizaj

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 15:34

Shërbimi i Vaksinimit që vepron në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, këto ditëve ka vazhduar me vaksinimin e qytetarëve me vaksinën kundër gripit sezonal.

Ky shërbim ka pasur në dispozicion 4700 doza të kësaj vaksine, ndërsa mësohet se kërkesat janë më të larta.

Zyrtarët e këtij shërbimi kanë thënë se të gjitha qendrat e mjekësisë familjare, por edhe punktet shëndetësore që veprojnë në disa fshatra të komunës kanë qenë të pajisura me këtë lloj të vaksinës.

Teuta Xhaferi, nga ky shërbim ka bërë të ditur për KosovaPress se raportet flasin për një interesim të lartë të qytetarëve për ti marrë këto vaksina.

Sipas saj, ky proces i nisur dy javë më parë ndodhet në fazën përfundimtare, ngase sasia e planifikuar tashmë ndodhet afër përfundimit.

"Ky shërbim po realizohet edhe në teren dhe të gjithë qytetarët që gravitojnë në ato zona kanë mundësi që të marrin këtë shërbim. Interesimi i qytetarëve ka qenë i lartë, jemi në pritje edhe të një sasie prej 300 dozave, por duhet të potencohet se nevoj at janë edhe më të mëdha " ka thënë Xhaferi.

Sipas përgjegjësve të këtij shërbimi, kjo vaksinë u dedikohet kryesisht të moshuarve dhe pacientëve me sëmundje kronike.

"Personat mbi 60 vjet që kanë imunitet të dobësuar, personat më sëmundje kronike si p.sh. personat me diabet, sëmundje të mushkërive, sëmundjeve të veshkave dhe me hipertension janë ata që duhet ta marrin këtë shërbim. Por edhe të tjerët që kanë probleme shëndetësore e që gripi ndikon në përkeqësimin e gjendjes së tyre" tha Xhaferi.

Ndryshe, u bë e ditur se vetëdijësimi i qytetarëve është rritur për këtë lloj shërbimi dhe këtë më së miri e tregon interesimi i tyre në këtë sezon, ndërsa mjekët thonë se edhe qytetarët e kanë kuptuar se preventiva është gjithherë më e mirë se sa shërimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat