VV: Situata se vjen e më e tensionuar, arrestimi i Kurtit urdhër nga Qeveria Mustafa

Kosova

VV: Situata se vjen e më e tensionuar, arrestimi i Kurtit urdhër nga Qeveria Mustafa

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 14:12

(E plotësuar) Në një konferencë të jashtëzakonshme për media Lëvizja Vetëvendosje ka dënuar arrestimin e mbrëmshëm të ish-liderit të tyre dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës Albin Kurti.

Nënkryetari i këtij subjekti Driton Çaushi, tha se më këtë arrestim situata po bëhet gjithnjë e më e tensionuar dhe se pushteti në Kosovë po shndërrohet në një pushtet policor.

“Besoj se të gjithë jemi dëshmitarë se gjatë javëve të kaluara dhe ditëve të kaluara sidomos në ditën e kaluar situata në Kosovës çdo herë e më tepër po bëhet më e pa qëndrueshme dhe më e tensionuar, natyrisht se kjo nuk mund të jetë ndryshe, një pushtet i cili përditë e më tepër po shndërrohet në një pushtet policor i cili përdorë taktika policore për të mbajtur vetveten”, tha Çaushi.

Ai tha se mbeten të vendosur që të kundërshtojnë këto marrëveshje deri në fu nd. Sipas Çaushit e vetmja zgjidhje është që Qeveria të heqë dorë nga marrëveshjet ose të bie bashkë me to.

Deputeti Glauk Konjufca tha se Kurti mbrëmë ishte kidnapuar e jo ndalur e arrestuar. Sipas tij polici që e ka ndaluar mbrëmë nuk kishte treguar identitetin e tij dhe as fletarrestim me anë të të cilit kërkohej arrestimi i tij.

“Mbrëmë Albin Kurti është kidnapuar dhe kjo situatë vazhdoi edhe brenda stacionit të policisë me ç’rast Albin Kurti u mor për 3 orë me radhë në pyetje nga Policia e Kosovës. Rrëmbimin e Albin Kurtit e konsiderojmë si urdhër të drejtpërdrejtë nga Qeveria e Isa Mustafës. Ky ishte një kidnapim me prapavijë politike, QEVERUIA E Kosovës po i frikësohet kundërshtimit në rritje ndaj Zajednicës së Komunave Serbeve, dhe Demarkacionit me Malin e Zi”, tha Konjufci.

Konjufca tha se në vend që Qeveria të tërheqë nënshkrimin nga “Zajednica” dhe demarkacioni me Malin e Zi, ajo tash ka shkuar edhe një hap më tutje, ka filluar t’i qaset opozitës përmes arrestimeve që po ua bën deputetëve.

Sipas tij me veprime të tilla, Qeveria Mustafa po i kontribuon eskalimit të situatës. Nëse Isa Mustafa nuk e kthen mbrapsht "Zajednicën" dhe demarkacionin me Malin e Zi, pakënaqësia do të shpërthejë, tha Konjufca.

“Kjo gjendje politike në Kosovë, me forcimin e Serbisë përmes "Zajednicës", me humbjen e mijëra hektarëve të territorit, me krimin e organizuar deri në maje të Qeverisë, me korrupsionin e pushtetit që nuk po ndalet kurrë – kjo situatà « është e paqëndrueshme dhe nëse Isa Mustafa nuk e kthen mbrapshtë Zajednicës bashkë me Demarkacionin pakënaqësia me siguri se do të shpërthej me protesta dhe demonstrate gjithë popullore ”, tha Konjufca.

Ngjarjet e mbrëmshme, sipas Konjufcës, janë të pashembullta, pasi që mënyra e trajtimit nga ana e policisë së Kosovës ndaj deputetit Kurti ngjan në “bisedat informative” të bëra në vitet e 80’ta, dhe kjo është e patolerueshme.

Konjufca paralajmëroi sërish bllokim të Kuvendin në seancës e së enjtes, duke thënë se janë të vendosur në qëndrimet e tyre.

Ai sërish nuk bëri të ditur se kur do të kërkojnë mbajtjen e një proteste gjithëpopullore.

Dy udhëheqësit e Vetëvendosjes kërkuan po ashtu që të lirohen menjëherë dhe pa kushte nëntë aktivistët e saj ndër të cilët është edhe anëtari i Kryesisë Ylli Hoxha.

Konjufca: Ndalimi i Kurtit u bë sikur ndalimet e dikurshme nga Serbia (Foto)

Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca në një konferencë shtypi sot shpjegoi rrethanat e arrestimit dhe të ndalimit të mbrëmshëm të deputeti të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës Albin Kurti nga Policia e vendit.

"Qeveria, duke përgatitur procese të tilla të montuara si ai i mbrëmshëm kontribuon në rritjen e tensioneve. Një gjë e tillë nuk ndodh në një vend demokratik, por vetëm në një qeveri si ajo e Putinit, në të cilën policia është e instrumentalizuar”, tha Konjufca duke shtuar se Qeveria dëshiron që përmes këtyre veprimeve të frikësojë popullatën, por efekti do të jetë i kundërt, pasi kjo qeveri është e destinuar që të dështojë”.

“Nuk ka pasur vendim e kërkesë prokurori për marrjen e Albin Kurtit në polici. Marrja ka qenë thjesht një arrestim informativ, sikur arrestimet informative që Serbia i bënte ndaj shqiptarëve në vitet e 80 të shekullit të shkuar”, tha Konjufca.

Ne do të vazhdojmë të bllokojmë punën e Kuvendit, tha pastaj Konjufca duke përmendur kundërshtimet që partia Vetëvendosje ia bën krijimit të AKS-së, Zajednicës, siç e quan ajo, dhe Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, transmeton Koha.net.

Konjufca hodhi poshtë deklarimet e kryeministrit Mustafa se nënshkrimet në marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të anulohen. Ai për këtë shembull e mori marrëveshjen detare të nënshkruar ndërmjet Shqipërisë e Greqisë, e cila sipas tij është anuluar.

“Ne jemi të koordinuar dhe të vendosur që të mos lejojmë vazhdimin e seancave të Kuvendit, pasi Zajednica nuk duhet të kalojë. Kur populli vlerëson se një marrëveshje është e dëmshme, ajo edhe nëse është ndërkombëtare mund të anulohet”.

“Protesta është brenda suazave të ligjit. Ashpërsia e protestuesve ka buruar nga sjellja e papranueshme e policisë”.

Format e protestës mund të shqyrtohen. Në shoqërinë tonë ka dy lloj njerëzish: Ata që e dinë që marrëveshjet janë të dëmshme dhe kjo është aq shqetësuese sa që mjetet që do të zgjidhen për të protestuar duhet të jenë të mjaftueshme të ndalin Zajdnicën. Kurse pjesa tjetër është që e dinë se janë të dëmshme, por thonë se s’kanë çfarë të bëjnë që t’i ndalin ato, dhe opozita është në radhën e parë.

Protestat e mbrëmshme Konjufca i quajti të ligjshme, ndërsa për përshkallëzimin e tyre në dhunë e fajësoi policinë e cila, sipas, tij përdori mjete dhe forcë joproporcionale.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat