MAShT shënoi Ditën e Vajzave me disa aktivitete

Kosova

MAShT shënoi Ditën e Vajzave me disa aktivitete

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 20:47

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka shënuar sot Ditën e Vajzave me disa aktivitete ku pjesëmarrëse ishin vajzat nga disa shkolla të mesme të ulëta të Kosovës.

Organizimi filloi në fabrikën “MAGIC”, dhe pastaj vazhdoi me një takim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ku fjalën hyrëse e mbajti zëvendësministrja e Arsimit Anila Statovci Demaj, e cila ndër të tjera theksoi rëndësinë e vetëdijesimit të vajzave për arsimim si një proces që siguron pavarësinë e tyre intelektuale, siguron qasje në tregun e punës, përmirëson statusin e tyre shoqëror dhe u jep vajzave një kapital, të cilin mund ta shfrytëzojnë ne çdo situatë.

“Cilido të jetë profesioni i zgjedhur, ai do t’ju sigurojë perspektivën e kërkuar, përderisa ka arsimim të nevojshëm dhe qasje të duhur profesionale në punë”, u shpreh Statovci Demaj.

Takimi vazhdoi me prezantimin nga mësimdhënësit e shkollave profesionale dhe kompania hoteliere “Emerald”, të cilët folën për programet e tyre arsimore.

11 Tetori është shpallur Dita e Vajzave më 19 Dhjetor 2011 nga Asambleja Gjenerale e Kombeve të Bashkuara. Këtë vit, komuniteti ndërkombëtar vlerëson progresin sipas Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit, pasi që implementimi i saj është bërë në vitin 2000 dhe qëllimet janë vënë që të arrihen deri në vitin 2030.

Tema kryesore e Ditës së Vajzave për çdo vit caktohet nga OKB dhe këtë vit tema e caktuar është: Fuqia e vajzës (vajzave) adoleshente – Vizioni për vitin 2030.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat