Reichel: Opozita me dhunë s’mund t’ia imponojë vullnetin shumicës

Kosova

Reichel: Opozita me dhunë s’mund t’ia imponojë vullnetin shumicës

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 12:29

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi takimin me të dërguarin e posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin Ernst Reichel. Në takim u bisedua për gjendjen aktuale të krijuar në Kuvendin e Kosovës si pasojë e veprimeve të opozitës.
Në njoftimin për media të Kuvendit të Kosovës thuhet se ambasadori Reichel theksoi se “fajtori për këtë situatë është opozita e cila duhet t’i respektojë rregullat e demokracisë parlamentare, ku pakica nuk mundet që me veprime të dhunshme të ia imponojë vullnetin shumicës”.

Reichel po ashtu ka thënë se Kosova është shumë afër përmbylljes së procesit të nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veselit tha se është duke bërë përpjekje që në Kuvendin e Kosovës të ruhet fryma e demokracisë parlamentare, duke vazhduar me insistim në mjetet demokratike për afrimin e pozitës dhe opozitës.

Veseli shtoi se “Kuvendi nuk mund të bllokohet dhe do të vazhdojë punën e tij në një paketë projektligjesh më shumë rëndësi për zhvillimin e vendit”.

Në takim u bisedua edhe për proceset e integrimit evropian të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik.

Veseli falënderoi ambasadorin Reichel për mbështetjen e fuqishme që Berlini po i jep në vazhdimësi Kosovës dhe shprehu nevojën bizneset gjermane të investojnë kapitalin e tyre në ekonominë kosovare.

Zhvillimi ekonomik është agjenda të cilën qytetarët e Kosovës e presin nga të zgjedhurit e tyre, tha Veseli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat