Problemi me profesorët e angazhuar, drejt zgjidhjes

Kosova

Problemi me profesorët e angazhuar, drejt zgjidhjes

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 09:51

Gjimnazi i Specializuar Matematikor në Prishtinë, ka pasur probleme rreth pagesës së profesorëve të lëndës nga Matematika, të cilët janë nga Universiteti i Prishtinës.

Sipas marrëveshjes së mirëkuptimit mes Ministrisë së Arsimit, Universitetit të Prishtinës dhe Komunës së Prishtinës, janë përcaktuar të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat e profesorëve të Universitetit të Prishtinës për të mbajtur mësim në Gjimnazin e Specializuar të Matematikës.

Por, ka pasur disa probleme rreth pagesave të tyre, pasi nuk janë paguar vitin e kaluar, dhe këtë vit kanë hezituar të fillojnë të japin mësim në këtë gjimnaz.

Drejtori i Gjimnazit, Shemsi Berisha, tha për Radio Kosovën, se disa profesorë nuk janë paguar dhe se për këtë arsye, ky vit shkollor nuk ka filluar me kohë.

“Ndoshta kjo ka qenë pengesa që unë nuk kam mundur të fillojë me stafin akademik me 1 shtator, por kam filluar me 21 shtator. Sivjet ka ndryshime, vitin e kaluar i kam pasur katër, ndërsa këtë vit i kam nga departamenti i matematikës, nga Fakulteti Edukim dhe nga Fakulteti Teknik.”

Kryetari i Bordit të Gjimnazit të Specializuar të Matematikës, Azem Guri, tha se në fillim ka pasur vështirësi, por që tashmë janë tejkaluar ato. Ai bëri të ditur se shumë shpejt do të hartohen kontratat për profesorët e Universitetit të Prishtinës, ku parashihet edhe forma e pagesës së tyre për angazhimin në gjimnazin e matematikës.

“Do të bëhet kontrata e këtyre mësimdhënësve me Ministrinë e Arsimit, pasi ne do të bëjmë pagesën e këtyre mësimdhënësve, pra nga buxheti i MASHT. Pra edhe pse kemi pasur disa vështirësi, ato tashmë janë tejkaluar.”

Në këtë vit shkollor kanë filluar mësimin dy paralele në Gjimnazin Matematikor dhe një paralele nga viti i kaluar me rreth 75 nxënës. Mësimdhënës në këtë gjimnaz janë gjithsej 19 profesorë, 10 prej tyre nga Universiteti i Prishtinës, ndërsa për lëndët tjera, mbulohen nga drejtoria komunale e arsimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat