​Prindërit e nxënësve të shkollës “Përparimi” ankohen se nuk i lejojnë në klasë bashkë me fëmijët

Kosova

​Prindërit e nxënësve të shkollës “Përparimi” ankohen se nuk i lejojnë në klasë bashkë me fëmijët

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 17:39

Deri para një muaji rrinin bashkë me fëmijët brenda në klasë. Por që nga fillimi i këtij viti shkollor, prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta që ndjekin mësimin në shkollën speciale “Përparimi” në Prishtinë nuk po lejohen që të jenë prezent gjatë orës së mësimit.

Prindërit e fëmijëve janë ankuar me këtë vendim të drejtoreshës së kësaj shkolle, por Igballe Potera, drejtoreshë e “Përparimit” thotë se prezenca e prindërve ndikon negativisht tek fëmijët.

Të njëjtin mendim me drejtoreshën Potera e ka edhe psikologu i shkollës, sipas të cilit prezenca e prindërve brenda në klasë tek këta fëmijë ndikon tek pavarësimi i tyre.

Tash prej se Potera ka vendosur që prindërit mos të jenë brenda gjatë orës së mësimit, këta të fundit qëndrojnë para dyerve të shkollës derisa të përfundojë mësimi.

Nga ky vendim i drejtoreshës është e pakënaqur Nazmie Syla, fëmija i së cilës është nxënës i kësaj shkolle.

Përveç kësaj ajo thotë se mësuesit e kësaj shkolle po i keqtrajtojnë fëmijët e tyre. Madje Syla thotë se ishte vetë drejtoresha Potera e cila më herët ka lejuar që prindërit të jenë në klasë bashkë me fëmi jët e tyre.

Syla: Po i keqpërdorin fëmijët

“Edhe fëmijët i kanë keqpërdorë .Kushtet i kanë fëmijët, shkolla është e mirë, por sa i përket me u kujdes më shumë për fëmijë , për papuçe për diçka, jo sa kujdeset për lule në shkollë mrena. Unë qe 8 vjet jam këtu rregullisht kështu që na kanë lan , por prej 1 shtatorit jam këtu jashtë, kam tentuar me hi mrena edhe ujë me marr po nuk na kan leju”, rrëfen Nazmie Syla për KosovaPress.

Ajo tregon se kanë kërkuar ndihmë edhe nga Ministria e Arsimit por edhe tek Avokati i Popullit.

Arsyet pse prindërit nuk duhet lejuar që të jenë brenda bashkë me fëmijët i sqaron drejtoresha e shkollës “Përparimi” Igballe Potera.

Ajo thotë për KosovaPress se prezenca e prindërve po ndikon negativisht ne zhvillimin emocional të fëmijëve.

Potera: Nuk ka nevojë për prindër, këta fëmijë duh et të pavarësohen

“Prindi është eksperti parë i fëmijës, edhe ajo ka fazat e zhvillimit të tyre. Përderisa fëmijët fillojnë me ardhë në shkollë duhet të kuptohet të kemi një bashkëpunim të ngushtë me prindërit, sepse janë ata, të cilët na japin informacione më të shumta për fëmijën dhe pastaj ne gradualisht me vitin e parë kryesisht në klasën e parë e kemi problem, jo problem të natyrës së pazgjidhshme por kemi nevojë për bashkëpunimin me prindër, derisa ne të mësojmë sjelljet e fëmijëve, nevojat e tij , kërkesat e tij, dëshirat e tij, pastaj gradualisht fëmija adaptohet dhe nuk ka nevojë të jetë prindi këtu”, thotë Potera.

Të njëjtin mendim e ka edhe psikologja e shkollës Blerina Halilaj, sipas të cilës prezenca e prindërve ndikon negativisht tek fëmijët në privatësinë e tyre .

Halilaj : Ky është vendim i drejtë që është marrë që prindërit mos të jenë prezent

“Të gjithë e dimë se secili prej nesh është një faktor shumë i rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës, gjithashtu ne jemi një model i pavarësisë së fëmijëve dhe asaj se qfarë fëmija jonë do me qenë. Ne jemi ata që duhet të krijojmë hapësirën, ne duhet të krijojmë ambient të përshtatshëm dhe pastaj mos prezenca e prindërve në shkollë ndikon pozitivisht tek fëmijët sepse ndikon tek pavarësimi i fëmijëve, ndikon në krijimin e vetë disiplinës te fëmija...pra dmth. ndikon në shumë faktorë pozitiv të fëmijës,.Prandaj në aspektin psikologjik është shumë më e përshtatshme dhe është një vendim i drejtë që është marr që prindërit të mos jen prezent”, ka thënë Halilaj.

Ankesat e prindërve të këtyre fëmijëve është duke i shqyrtuar edhe Avokati i Popullit.

Zëdhënësja e këtij institucioni Majlinda Sinani- Lulaj ka bërë të ditur për KosovaPress se rasti është në proces e sipër dhe në ndërkohë janë ndërmarrë veprimet e para ku është kontaktuar stafi udhëheqës i shkollës, me ç'rast është konfirmuar se nuk ka një udhëzim administrativ apo akt tjetër normativ që e legjitimon vendimin për moslejimin e nënave që të shoqërojnë fëmijët e tyre në ambientet e shkollës.

“Po ashtu, është biseduar edhe me fëmijët në këtë shkollë. Meqenëse ka pasur pretendime se ndaj fëmijëve ka pasur ushtrim të dhunës nga personeli i shkollës, Avokati i Popullit ka angazhuar një psikolog me qëllim të verifikimit, nëse këto pretendime janë të vërteta apo jo”, ka thënë zëdhënsja SInani-Lulaj.

Ndërkohë që pavarësisht përpjekjeve KosovaPress nuk ka mundu r të marrë një deklaratë nga zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, në kuadër të së cilës është kjo shkollë, e vetmja e këtij lloji në Prishtinë.

Në shkollën speciale “Përparimi” vijojnë mësimet 147 fëmijë me nevoja të veqanta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat