​Dardan Molliqaj sërish me akuza të rënda ndaj Behxhet Shalës

Kosova

​Dardan Molliqaj sërish me akuza të rënda ndaj Behxhet Shalës

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 17:03

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj sërish ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të KMDLNj-së Behxhet Shalës, i cili sot për media ka kundëreaguar ndaj Molliqajt, i cili ka thënë se “Shala është njeri i SHIK-ut”.

Shala ka thënë se deklarata e Molliqajt ndaj tij është e njëjtë sikur ai të thoshte se “Molliqaj është spiun i Serbisë”

Deklarata e Molliqajt ka ardhur pasi që ditën kur në seancën e Kuvendit u hodh gaz lotsjellës, Shala ka thënë se VV ka përdorur dhunë.

Deklarata e plotë e Dardan Molliqajt:

Behxhet Shala thotë se dikur e ka përkrahur Lëvizjen VETËVENDOSJE! prandaj tash ne duhet ta pranojmë atë kur na kritikon e akuzon. Kjo është e palogjikshme. Ai ka bërë mirë kur na ka përkrahur dhe e ka tejet gabim që po na akuzon. Në fakt, ai nuk na ka përkrahur neve dikur, por atëbotë e ka thënë të vërtetën për dhunën policore mbi protestuesit tanë, kurse tash po gënjen kur thotë se në seancën e së enjtes në Kuvend nga një gaz lotsjellës është "rrezikuar jeta e të gjithë deputetëve". Ishte edhe më i ashpër se Thaçi i cili foli për rrezikimin e shëndetit por jo edhe të jetës. Qartazi, Behxhet Shala po bëhet asistent dhe dëshmitar i prokurorisë për ta akuzuar Albin Kurtin me të njëjtën akuzë sikurse në vitin 2007: tentim i shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Ky është kuptimi i gënjeshtrës së tij se të enjten "është rrezikuar jeta e të gjithë deputetëve".

Nëse Behxhet Shala ka folur fjalë miradije për VETËVENDOSJE!-n në vitin 2007 kjo ka qenë vetëm për shkak se PDK-ja ishte në atë kohë në opozitë. Kur PDK-ja erdhi në pushtet, Behxhet Shala u kap për bishtin e Hajredin Kuçit dhe të Elmi Reçicës. Prej asaj kohe dalëngadalë ai e shndërroi KMDLNj-në në Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të ShIK-ut. E kur PDK-ja ishte gati të dalë në opozitë, Behxheti u bë sulmuesi më i madh i VLAN-it dhe sufleri kryesor i Thaçit. Jo rastësisht ai ka kohë që endet rrugëve të Prishtinës me një xhip të zi të madh e të shtrenjtë si dhe pat blerë shtëpi e truall atje te fshati ndërkombëtar në periferi të qytetit duke u bërë fqinj i Thaçit, atje ku po instalohen nomeklatura e regjimit me familjet e tyre.

Behxhet Shala edhe vetë e pranoi afërsinë me krerët e ShIK-ut në reagimin e tij, pra me Latif Gashin, Elmi Reçicën dhe Kadri Veselin. Mirëpo, disa ditë më parë, një ish agjent i ShIK-ut na pat informuar neve në Lëvizje se Elmi Reçica, njeriu nr.2 në ShIK, ka shkuar shpesh te Behxhet Shala në shtëpi për darkë dhe i ka ndarë detyra atij. Elmi Reçica kontrollon biznese të ndryshme në Ferizaj e Prishtinë dhe vëllau i tij besohet që i përket një grupi mafioz që vepron në Çeki dhe që ka lidhje me shërbimet sekrete të rajonit e të cilat e realizuan skenarin për masakrën në Kumanovë me 9 maj 2015. (Po ashtu, Behxhet Shala nga Kadri Veseli ka marrur detyrë speciale që Adem Demaçin ta mbajë sa më larg VETËVENDOSJE! duke e vizituar shpesh, duke e dezinformuar dhe duke ia humbur kohën Bacës Adem me gjepura).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat