Mustafa ngushëlloi Qeverinë turke pas sulmit terrorist në Ankara

Kosova

Mustafa ngushëlloi Qeverinë turke pas sulmit terrorist në Ankara

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 16:09

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i ka dërguar një telegram kryeministrit të Turqisë, Ahmet Davutoglu, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta pas sulmit terrorist në Ankara, i cili la të vdekur dhjetëra njerëz dhe qindra të tjerë u plagosën.

Në telegram, kryeministri Mustafa, shpreh pikëllimin e popullit dhe të Qeverisë së Kosovës, duke bashkëndjerë dhembjen me familjarët e viktimave, me popullin dhe me Qeverinë turke, në këto momente të vështira.

Kryeministri Isa Mustafa, shpreh solidaritetin e Republikës së Kosovës me Republikën e Turqisë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në angazhimet e përbashkëta të botës demokratike, të udhëhequra nga SHBA-të, në luftën kundër të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm dhe akteve terroriste, nga kushdo që kryhen ato.

Kurse, zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, shprehet i tronditur dhe dënon ashpër sulmin e sotëm terrorist në Ankara, në të cilin humbën jetën rreth 30 persona dhe u plagosën mbi 120 të tjerë.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministri Thaçi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta autoriteteve të Republikës së Turqisë, popullit turk dhe familjeve të viktimave.

“Në këto momente të rënda, populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës bashkëndjejnë me popullin turk dhe familjet e viktimave. Ne solidarizoheni përkrah popullit turk në këto çaste të rënda për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Turqisë”, është shprehur zëvendëskryeministri Thaçi.

Aktet e tilla mizore terroriste, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, dëshmojnë se sa i nevojshëm dhe i drejtë është vazhdimi pa kompromis i luftës kundër terrorizmit.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të qëndrojë fuqishëm përkrah koalicionit global në luftën kundër terrorizmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat