Svarqa, opozita duket gjithnjë e më e dëshpëruar! Mund t’i shkaktojë pasoja të rënda gjithë vendit

Kosova

Svarqa, opozita duket gjithnjë e më e dëshpëruar! Mund t’i shkaktojë pasoja të rënda gjithë vendit

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 14:02

Opozita po dëshmon se çfarë anarkie, kaosi dhune mund të përdorë, deklaron kryetari i Ferizajit Muharrem Svarqa në një deklaratë për “Bota sot”. Ai thekson se trazirat, shfaqjet e pakënaqësive të dhunshme dhe bllokimi i institucioneve shtetërore, nuk janë zgjidhja për Kosovën e sotme, aq më pak për të ardhmen e vendit tonë.

Më tej mund ta ndiqni deklaratën e plotë të kryetarit të Ferizajit.

“Veprimet e fundit të opozitës në Kuvendin e Kosovës, tregojnë shkallën në rritje të dëshpërimit të saj. Dhe sa më e lartë shkalla e dëshpërimit, aq më të dhunshme po bëhen veprimet dhe mjetet që po përdoren për të penguar funksionimin e Kuvendit.

Një arsenal veprimesh të papranueshme, një gjuhë mujshare e ultimative ndaj një synimi të pamundur për t’u realizuar me rrugë që i njeh qytetërimi bashkëkohor demokratik. Blloku opozitar po synon t’i bllokojë institucionet më të larta të shtetit me anë të forcës e veprimeve të dhunshme, në mungesë të forcës politike.

Qytetarët e Kosovës mund ta marrin me mend se çfarë do të ishte në gjendje të bënte ky bllok, po ta kishte edhe shumicën, po ta kishte pushtetin. Këtë gjë pjesëtarët e bllokut, kush më shumë e kush më pak, po e tregojnë vetë përditë e më qartë se:

- do t’i impononin synimet e tyre, pa zgjedhur mjete, duke përdorë edhe dhunën;
- do të lidheshin fort pas ideve kombëtariste, të cilat nxisin lehtë ndjenjat e qytetarëve, për të realizuar qëllimin e të qenit me çdo kusht në pushtet;
- do të ushqenin politika revolucionare e populliste, që çojnë në kaos e anarki;
- do ta ashpërsonin skajshmërisht ‘luftën’ kundër partive rivale, duke i satanizuar si ‘armiq’ të interesave kombëtare e të tjera.

Konsideroj se qytetarët e Kosovës, gjithnjë e më qartë po e shohin se synimi për t’i penguar marrëveshjet e arritura, janë në të vërtetë vetëm mjete të ‘luftës’ për të ardhur në pushtet. Sepse blloku opozitar po e merr përsipër një mision, i cili nuk i takon, misionin për t’i dalë zot fatit të Kosovës dhe udhëheqjes së saj në momente të ndjeshme për të tashmen dhe për të ardhmen e kosovarëve.

Qytetarët e Kosovës më pak se një vit e gjysmë më parë, i kanë caktuar shumë qartë bartësit e këtij misioni, përmes votës së lirë. Të pakënaqurit, kanë të drejtë ta shfaqin pakënaqësinë e tyre, por jo duke penguar të tjerët, madje, jo duke e penguar funksionimin e shtetit. Blloku opozitar e ka mandatin për diskutuar e dhënë kontributin e tij për vendime të rëndësishme të shtetit të Kosovës, por nuk ka mandat për të penguar zbatimin e vendimeve që i merr pushteti legal e legjitim.

Prandaj, është mirë që blloku opozitar t’i thërrasë mendjes tani, sa nuk është bërë vonë. T’u kthehet mjeteve demokratike të vendimmarrjes dhe brenda tyre, të propozojë alternativa, duke e luajtur rolin e saj korrigjues, e jo bllokues. Ndryshe, mund t’i shkaktojë pasoja të rënda gjithë vendit, duke e kthyer disa vite prapa. Ne jemi mjaft të vonuar me proceset zhvillimore dhe integruese. Trazirat, shfaqjet e pakënaqësive të dhunshme dhe bllokimi i institucioneve shtetërore, nuk janë zgjidhja për Kosovën e sotme, aq më pak për të ardhmen e vendit tonë.

Veprimet e opozitarëve, u panë me shqetësim edhe nga përfaqësuesit e vendeve më të fuqishme të botës. Vërejtjet e tyre, si gjithmonë në çastet e krizave tona jo fort të rralla, ishin të drejta dhe në përputhje me vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës. Prandaj, edhe opozita duhet të veprojë sipas këtij vullneti. Çdo rrugë tjetër, besoj se është në dëm të interesave të Kosovës dhe banorëve të saj”.
Muharrem Svarqa
Kryetar i Ferizajt dhe anëtar i kryesisë së LDK-së

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat