Rexhep Hoti, letër Nikoliqit: Kosova, pjesë e qytetërimit perëndimor, jo ISIS-it

Kosova

Rexhep Hoti, letër Nikoliqit: Kosova, pjesë e qytetërimit perëndimor, jo ISIS-it

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 21:25

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Rexhep Hoti, i ka shkruar një letër presidentit të Republikës së Serbisë, Tomislav Nikoliq, në lidhje me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO.

Letrën e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“I nderuar President i Republikës së Serbisë, z. Tomislav Nikoliq,

Duke mos u ndier mospërfillës nga mënyra e Juaj e komunikimit ndaj kohëve themelore të Republikës së Kosovës (e kaluara, e tashmja dhe e ardhshmja), edhe në këtë fillim të mijëvjeçarit të tretë, nuk mund të mos ju përgjigjem, me rastin e deklarimit të Juaj publik, në lidhje me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO.

Ju, i nderuar President i Republikës së Serbisë, deklaroni botërisht se “Kosova nuk mund të bëhet anëtare e UNESCO-s, pasi që trashëgimia kulturore dhe historia e Kosovës janë tërësisht të Serbisë. Nëse e kemi ruajtur 11 shekuj, ne serbët do ta ruajmë edhe më tej, sepse gjeografia dhe ajo që gjendet në territorin e Kosovës, nuk mund të jenë kosovare, por vetëm serbe”, për ta plotësuar mendimin tuaj tutje, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ivica Daçiq, se “katër nga tempujt tonë të shenjtë janë deklaruar si trashëgimi kulturore botërore – Manastiri i Deçanit, Patriarkana e Pejës, e Graçanicës dhe kisha e Shën Premtës në Prizren, UNESCO i ka shpallur si trashëgimi e mbrojtur kulturore për shkak se ishin në rrezik. Dhe nga kush ishin në rrezik? Propozimi i Kosovës në UNESCO do të ishte sikurse të kërkohej që Shteti Islamik – ISIS-i, të anëtarësohej në këtë organizatë” dhe e përmbyll mendimin me pyetjen konstatuese: ‘Cili është dallimi në mes të Kosovës dhe ISIS-it?”.

Pa dashur që të merrem me botën e mendimit tuaj apo të ministrave të qeverisë së Serbisë dhe pavarësisht se si e shikoni, e ndjeni dhe e përjetoni Ju Republikën e Kosovës,

I nderuar president i Republikës së Serbisë,

Me lejoni t’ju them, me sa vijon:

E para, Republika e Kosovës është tashmë një shtet demokratik, i pavarur e sovran, që ka kulmuar me një investim të përbashkët të popullit të Kosovës, me mbi 97%, me të gjitha komunitetet brenda saj dhe bashkësisë ndërkombëtare të provincës së qytetërimit Perëndimor në krye me SHBA-n;

E dyta, Republika e Kosovës, është dhe do të jetë përgjegjësi e përbashkët e shteteve të ‘klubit të krishterë’ të Perëndimit të Afërt (Evropa) dhe Perëndimit të Largët (SHBA), që u krijua mbi flijimin e popullit për liri dhe mbi themelet e humanizmit për ta shpëtuar atë nga gjenocidi shtetëror i pushtuesit, për ç’gjë, e gjithë provinca e qytetërimit Perëndimor, për 78 ditë rresht, ndërhyri edhe fizikisht për ta shpëtuar një popull të lashtë evropian, mbase të vetmin popull autokton të saj, nga zhbërja;

E treta, Republika e Kosovës është shteti i parë në kuadër të provincës së qytetërimit Perëndimor, i cili u formësua mbi garantimin kushtetues e ligjor të të gjitha lirive dhe të drejtave: politike, juridike, etnike, kombëtare, ekonomike, sociale, fetare, kulturore, arsimore, gjinore, gjuhësore, qytetare etj., të komunitetit joshumicë serb së pari dhe mbi liritë dhe të drejtat e komuniteteve tjera joshumicë e, më pas, edhe mbi liritë dhe të drejtat e komunitetit shumicë shqiptar;

E katërta, Republika e Kosovës, nëpërmjet Pakos së Ahtisaarit, ka pranuar edhe ‘të drejta të trashëguara’ nga sundimi i kolonializmit dhe neokolonializmit (gjuha zyrtare serbe për gjithë territorin e Republikës së Kosovës, fjala vjen), të drejtën që Republika e Serbisë jo vetëm të kujdeset, por edhe ta financojë çdo projekt për komunitetin serb apo për çdo serb veç e veç brenda Republikës së Kosovës;

E pesta, Republika e Kosovës, nëpërmjet Kushtetutës dhe ligjeve garanton se çdo pjesëtar i komunitetit joshumicë serb është më serb, në të gjitha kuptimet e mundshme kushtetuese e ligjore, në Republikën e Kosovës sesa në Republikën e Serbisë;

E gjashta, Republika e Kosovës garanton me Kushtetutë e ligje që trashëgimia kulturore serbe dhe Kisha Ortodokse Serbe janë më të pavarura, më të garantuara dhe më të privilegjuara në Republikën e Kosovës sesa të njëjtat vlera e institucione në Republikën e Serbisë;

E shtata, Republika e Kosovës, është aq e pasur me trashëgimi kulturore, shpirtërore, qytetërim a vlera tjera, fjala vjen, arkeologjike, saqë, ajo, nuk i merr për të shenjta vetëm katër tempujt fetarë që i përmend ministri i Juaj Daçiq, e për të cilët mburret e gjithë Republika dhe populli i Kosovës, apo vetëm ‘11 shekujt serbë’, që i përmendni Ju z. President. Më lejoni t’ju informoj se vetëm periudha paleokristiane në Kosovë, i garanton Republikës sonë një thesar me përmasa botërore të trashëgimisë dhe të qytetërimit të lashtë të krishterë (katolik), duke filluar kryesisht prej shekullit të tretë, e deri te shekulli i gjashtë e këndej pas lindjes së Krishtit. Të dhënat arkeologjike nga terreni i Republikës sonë, qysh tash flasin se numri i tyre është, së paku, dyshifrorë gjithandej Kosovës, rrjedhimisht Dardanisë (të dhënat janë konfirmim prej ekspertëve të huaj dhe prej atyre serbë);

E teta, UNESCO, duke qenë organizata kryesore ndërkombëtare në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, do të imponojë detyrime të rrepta ndërkombëtare ndaj Republikës së Kosovën për të mbrojtur dhe ruajtur trashëgiminë materiale e shpirtërore, sidomos trashëgiminë serbe në vendin tonë të listuara si vende të Trashëgimisë Botërore të UNESO-s.

E nënta, duke i pranuar detyrimet e Kushtetutës së UNESCO-s për të kontribuar për paqen dhe sigurinë, duke qenë në shërbim të sublimimit dhe jetësimit të kompetencave unike të UNESCO-s në arsim, kulturë, shkencë, komunikim dhe informacion, Republika e Kosovës do të jetë në shërbim të avancimit të përgjithshëm të të gjitha komuniteteve brenda saj, me theks të veçantë në nxitjen e diversitetit kulturor, të dialogut ndërkulturor, në nxitjen e medieve të lira e të pavarura, të shoqërisë civile, si dhe në forcimin e të Drejtave të Njeriut;

E dhjeta, në përgjigjen ndaj akuzave që vijnë prej Jush, z. President dhe qeverisë së Serbisë se Kosova na qenka një vend i rrezikshëm, njëlloj si ISIS apo deklarime të ngjashme, me lejoni që në këtë pikë të akuzave të tilla t’ju përgjigjem nëpërmjet qëndrimit zyrtar të kryediplomatit amerikan, z. John Kerry, i cili, akuzave në fjalë, iu përgjigj kështu: “Kosova ka dëshmuar partneritet me bashkësinë ndërkombëtare për ta luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe kjo e bën pjesëmarrjen e Kosovës në UNESCO edhe më të rëndësishme, sepse UNESCO mbledh anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare për të promovuar luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm”;

I nderuar President i Republikës së Serbisë,

E vlerësoj përzgjedhjen që Ju keni ndërmarrë për të komunikuar dhe për t’iu përgjigjur popullit tuaj, ‘Kosovës serbe’ apo faktorit ndërkombëtar, edhe kur është çështja e pranimit të Republikës së Kosovës në UNESCO.

Megjithatë, pavarësisht nga qasja e Juaja dhe e shtetit që Ju përfaqësoni, brengë dhe angazhim madhor i Republikës sonë vazhdon të mbetet mënjanimi i të gjitha vështirësive, në mënyrë që shtetasit serbë të Republikës së Kosovës t’i realizojnë të gjitha liritë dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligje.

Liria dhe të drejtat e qytetarëve serbë të Kosovës nuk kanë qenë realisht kurrë pengesë për popullin shqiptar të Kosovës, por mungesa e lirisë dhe e të drejtave për vetë ata. Prandaj,

I nderuar President i Republikës së Serbisë,

Filozofia Kushtetuese e ndërtimit të Lirisë dhe të të Drejtave në kuadër të Republikës së Kosovës, së pari për komunitetin joshumicë serb dhe për komunitete tjera joshumicë e më pas edhe për komunitetin shumicë shqiptar, është filozofi që e bën sistemim unik të Republikës së Kosovës të njëhershëm në gjirin e familjeve të shteteve të botës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat