Bastisja e zyrave të VV-së: Reagon AAK dhe Nisma

Kosova

Bastisja e zyrave të VV-së: Reagon AAK dhe Nisma

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 20:02

AAK i merr me shqetësim njoftimet se Policia e Kosovës, pas orarit të punës dhe pa praninë e deputetëve, i ka bastisur zyrat e Grupi Parlamentar të VV-së, në Kuvendin e Kosovës, thuhet në reagimin e këtij subjekti.

“Këtë veprim të policisë, e cilësojmë presion, politikisht të kalkuluar, mbi deputetët e Vetëvendosjes, të cilët tashmë janë pjesë e një fronti të përbashkët opozitar për kundërshtimin e Asociacionit dhe Demarkacionit. U bëjmë thirrje urdhërdhënësve të këtyre bastisjeve, që të merren me eliminimin e shkaqeve të një gjendjeje, aspak normale politike, e jo ta rrisin presionin mbi përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Rendi dhe Ligji mbrohen duke filluar nga Kushtetuta, në mbrojtje të se cilës janë vënë këta deputetë, e jo duke i bastisur e përndjekur ata”, thuhet në reagim.

Edhe Nisma për Kosovën shprehet kundër bastisjes, ana e Policisë, të zyrave të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

“Presioni policor ndaj deputetëve, duke i ftuar në intervistë dhe duke i kërcënuar me arrestim deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu në lidhje me veprimet e fundit të opozitës në Kuvend, janë veprime pa precedent të pushtetit aktual, veprime këto që nuk kanë guxuar asesi që të ndodhin. NISMA për Kosovën dënon veprimet tilla dhe i bën thirrje organeve relevante të zbatimit të ligjit që të mos lejojnë të përdoren nga politika. Veprimet e opozitës janë politike prandaj asnjë masë policore nuk do të mund të frikësoj dhe zbraps opozitën e bashkuar”, thuhet në reagimin e këtij subjekti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat