Lufta me fakte kundër ekstremizmit të dhunshëm

Kosova

Lufta me fakte kundër ekstremizmit të dhunshëm

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 17:09

Në Kosovë, tendencat për ekstremizëm të dhunshëm kanë për premisë ndërlidhjen apo referencën me islamin, ndërkaq deri më tash janë rreth 300 qytetarë të Kosovës që kanë shkuar në luftëra të huaja në Siri dhe Irak.

Kështu kanë thënë përfaqësuesit e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, në një konferencë ku është diskutuar edhe roli i medieve në raport me trajtimin e çështjes së ekstremizmit të dhunshëm.

Florian Qehaja, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka theksuar se trendi i shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja, për momentin nuk është duke u rritur, falë informimit të drejtë të qytetarëve në funksion të parandalimit të këtij fenomeni.

Ai e ka vlerësuar esencial rolin e medieve në drejtim të parandalimit të ekstremizmit.

“Kur flasim konkretisht për rolin e medieve, ne mendojmë që pavarësisht që mediet po luajnë një rol konstruktiv në Kosovë, në anën tjetër, është mirë që çdo informacion që jepet, sipas mundësive, të verifikohet dhe si rrjedhojë të mos kemi ndonjë tej-theksim të një rasti të caktuar, i cili vetëm mund të ketë efekt negativ në këto përpjekjet që po i bëjmë".

"Ne mendojmë që duke i dhënë referencë apo publicitet të madh disa rasteve të caktuara, që kanë të bëjnë me ekstremizmin e dhunshëm, ato mund të kenë efektin e kundërt”, tha Qehaja.

Ai ka shtuar se informimi i drejtë dhe bashkëpunimi ndërmjet shoqërisë civile, medieve, Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), por edhe Qeverisë së Kosovës, është esencial në përpjekjet për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm.

Produkti kryesor i projektit, të cilin Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë po e bën në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, sipas Qehajës, është ndërtimi i kundër-argumenteve për luftimin dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, ka theksuar se Kosova ka dalë nga lufta e shkatërruar materialisht, fizikisht, por edhe shpirtërisht.

Por, përderisa institucionet dhe shoqëria e Kosovës, përfshirë edhe mediet, janë përpjekur për riparimin e dy aspekteve të para, aspekti shpirtëror është lënë në margjina dhe askush nuk është marrë me të rinjtë në këtë drejtim. Kjo, sipas tij, i është shfrytëzuar nga organizata të ndryshme, të cilat nën petkun humanitar, kanë shfrytëzuar hapësirën për të predikuar edhe fenë, gjë që nuk ka qenë përgjegjësi e tyre.

Sadriu, gjithashtu ka theksuar se përfaqësuesve të Bashkësisë Islame të Kosovës nuk u është dhënë hapësirë e mjaftueshme për të diskutuar për çështjet fetare.

“Unë mendoj se nuk i është dhënë hapësirë e mjaftueshme edhe nëpër medie (BIK-ut). Ne kemi pasur vërejtjet tona. Shoqëria e jonë, e në veçanti, sot, kur ne jemi duke debatuar për çështjen e medieve, unë besoj që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për islamin, që t’i qasen atij, t’i qasen një problematikë të veçantë, të caktuar. Kjo, ndoshta edhe ka reflektuar pak”.

Skënder Perteshi, hulumtues në Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se në mjaft raste, përderisa në medie janë publikuar video me përmbajtje kërcënuese apo që nxit ekstremizmin e dhunshëm, nuk ka pasur kundërpërgjigje.

“Shumë pak ka pasur kundër-argumente ndaj këtyre videove. Kur është plasuar informacioni për një video të caktuar, ne pas asaj videoje nuk kemi ndërmarrë kundër-narrativat, apo kundër-argumentet fetare për ta luftuar një ekstremizëm”.

Besa Ismajli, prodekane e Fakultetit të Shkencave Islame, thekson se në funksion të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, duhet përdorur kundër-narracioni.

“Cili është kundër-narracioni? Nëse narracioni i ISIS-it është teologjik, kundër-narracioni duhet të jetë gjithashtu teologjik. Nëse ata për narracion kanë se shteti bëhet me shpatë, natyrisht që shteti bëhet me shumëçka tjetër”.

Në konferencën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të medieve të Kosovës./Rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat