Opozita u drejtohet qytetarëve: Ja çfarë thuhet për vezët, ujin dhe gazin lotsjellës

Kosova

Opozita u drejtohet qytetarëve: Ja çfarë thuhet për vezët, ujin dhe gazin lotsjellës

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 16:55

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK, si dhe NISMA, nëpërmjet një letre të përbashkët kanë thënë se vezët, uji dhe gazi lotsjellës nuk janë drejtuar kundër Kuvendit, as kundër ndonjë institucioni të shtetit.

Sipas tyre, ato janë drejtuar kundër vendimeve të gabueshme të Qeverisë, të cilat mund të zbatohen.

“Nën tymin e gazit lotësjellës kemi qëndruar edhe vetë, ne deputetët e partive opozitare, të përkushtuar për të mbrojtur shtetin, territorin dhe demokracinë në Kosovë”, thuhet ndër tjerash në letrën e Opozitës drejtuar qytetarëve të Kosovës.

Më poshtë lexojeni letrën e plotë:

Letër të përbashkët

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ne vlerësojmë se shteti ynë është në rrezik! Vendimet e Kryeministrit dhe vartësve të tij do të rezultojnë në ndarjen etnike të Kosovës, duke formalizuar dhe legalizuar ndikimin politik të strukturave ilegale të Serbisë mbi një pjesë të territorit të Kosovës, që nuk është në interes as të shqiptarëve e as të serbëve. Në anën tjetër, marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi ia humb Kosovës mbi 10 mijë hektarë të territorit. Këto për ne janë të papranueshme.

Zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës kanë qenë të pashmangshme. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për shkak se Qeveria po e ndan Kosovën dhe po e falë territorin e saj. Jemi të vetëdijshëm që masat kundërshtuese të opozitës dje në Kuvend nuk kanë qenë të rregullta, por kjo ishte rruga e vetme për të kundërshtuar proceset që rrezikojnë funksionimin e shtetit të Kosovës, i cili ka qenë një projekt i përbashkët edhe me partnerët ndërkombëtarë. Prandaj, kërkojmë që edhe partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë ta shohin kundërshtimin tonë nga ky aspekt.

Vezët, uji dhe gazi lotësjellës nuk janë drejtuar kundër Kuvendit, as kundër ndonjë institucioni të shtetit. Janë drejtuar kundër vendimeve të gabueshme të Qeverisë, të cilat mund të zbatohen. Nën tymin e gazit lotësjellës kemi qëndruar edhe vetë, ne deputetët e partive opozitare, të përkushtuar për të mbrojtur shtetin, territorin dhe demokracinë në Kosovë.

Për opozitën e bashkuar, e neveritshme është ndarja e Kosovë në linja etnike dhe falja e territorit të shtetit tonë. E shëmtuar është shkurtpamësia politike për të parë dëmin që mund ta shkaktojnë këto marrëveshje.

Qeveria ka kaluar çdo kufi të sjelljes në suaza normaliteti me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, përkundër paralajmërimeve të qarta që u kemi bërë në foltoren e Kuvendit për javë e muaj me radhë.

Por, kjo Qeveri nuk dëgjon zërin e arsyes dhe as qytetarin. Nuk ka dëgjuar as argumentet tona.

Kryeministri dhe Qeveria janë nën presionin e dosjeve të korrupsionit, prandaj edhe e dëmtojnë Kosovën për të tentuar shpëtimin e vetes. Për ne është i papranueshëm nënshtrimi i interesave të kombit për interesa private e meskine të cilitdo individ, qofshin ata edhe krerët e koalicionit qeverisës.

Konsiderojmë se kjo që po bën Kryeministri Mustafa dhe Qeveria e tij nuk është demokraci. Kjo është logjikë e dhunimit të shtetit, popullit dhe të ardhmes së gjeneratave të reja.

Kryeministri Mustafa ka për obligim kushtetues, qytetar dhe kombëtar të tërhiqet nga ato marrëveshje të dëmshme dhe të pazbatueshme. Nëse ai vazhdon të shpërfill këtë shqetësim krejt legjitim, atëherë dorëheqja e tij është e pashmangshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat