Bahtiri: Nuk pranoj devijimin nga plani i Ahtisarit rreth kufijve në Mitrovicë

Kosova

Bahtiri: Nuk pranoj devijimin nga plani i Ahtisarit rreth kufijve në Mitrovicë

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 16:23

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka ftuar të premten në një takim shefat e grupeve të këshilltarëve të partive politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës, për të diskutuar rreth çështjes së definimit të kufijve administrativ ndërmjet dy komunave të Mitrovicës.

Sipas tij, ka tendenca nga ana e drejtuesve të komunës në veri të qytetit, që përkufizimi i kufijve administrativ të bëhet jashtë pakos së Ahtisarit.

“Qytetarët e Mitrovicës,para së gjithash ata që jetojnë në fshatrat dhe lagjet në veri të lumit Ibër, të cilët me planin e Ahtisarit i takojnë komunës sëderitashme (e cila pa vullnetin e tyre është ndarë), ndërsa serbët po kërkojnë që ata tani t’i takojnë komunës në veri, nuk duhet të shqetësohen aspak, sepse një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë me pëlqimin tim”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka garantuar të gjithë qytetarët e Mitrovicës se do t’i mbroj me vendosmëri interesat e tyre dhe të komunës, pavarësisht presioneve të ndryshme.

“Po ashtu, nuk do të pajtohem kurrë që vija ndarëse ndërmjet dy komunave e përcaktuar sipas pakos së Ahtisarit,të ndryshoj. Për këtë i kam njoftuar edhe drejtuesit më t ë lartë të vendit dhe përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë”, theksoi Bahtiri në takimin me shefat e grupeve të këshilltarëve të partive politike të përfaqësuar në Kuvendin e Komunës.

Në anën tjetër, të gjithë të pranishmit e kanë mbështetur fuqimisht qëndrimin e kryetarit Bahtiri dhe kanë kërkuar nga ai që në rast të hapjes së pjesës së pakos së Ahtisarit, që ka të bëjë me kufijtë administrativ komunal, atëherë ai të kërkoj përmirësimin e lëshimeve që janë bërë atëherë në dëm të shqiptarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat