Komunitetet pakicë në Kosovë të pakënaqur me punësimin e tyre si shërbyes civil

Kosova

Komunitetet pakicë në Kosovë të pakënaqur me punësimin e tyre si shërbyes civil

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 13:31

Komunitetet në Kosovë kanë shprehur shqetësimet e tyre për mos zbatimin e ligjit për shërbimin civil të Kosovës, përkatësisht nenin 11, i cili obligon që në çdo institucion të ketë dhjetë për qind të shërbimit civil nga komunitetet pakicë në vend.
Sipas përfaqësuesve të pakicave, gjatë monitorimit të zbatimit të ligjit, kanë gjetur të dhëna se përfaqësimi i komuniteteve në shërbimin civil ka shumë mangësi.
Se ky ligj nuk po zbatohet siç duhet, e thotë edhe zëvendësministri i Administratës Publike, Mustafë Myrtaj, sipas të cilit përfaqësimi i komuniteteve pakicë në shërbimin civil ende mbetet sfidë.
Kryesuesi i grupit punues që ka monitoruar zbatimin e ligjit për shërbimin civil, përkatësisht zbatimin e nenit 11, Veton Berisha tha se kanë gjetur se nuk po zbatohet ky nen i cili parasheh punësimin e komuniteteve në nivel qendror deri në 10 për qind të shërbimit civil në një institucion të jenë nga komunitetet.
Deputeti nga komuniteti boshnjak Qerim Bajrami tha se neni 11 i ligjit për shërbimin civil nuk është përkufizuar ashtu siç duhet, pasi u ka dhënë mundësi institucioneve të caktuara që e kanë shfrytëzuar këtë mundësi të mungesës së mbikëqyrjes.
Ndërsa, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal që vjen nga komuniteti serb, Ljubomir Mariq, ka shprehur zhgënjimin e tij me mos themelimin e grupit ndërministror për çështjen e përfaqësimit apo plotësimin e kësaj dispozite të ligjit për shërbimin civil të Kosovës.
Edhe zëvendësministri i Administratës Publike Mustafë Myrtaj ka theksuar mungesën e përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë në shërbimin civil të Kosovës. Myrtaj tha se sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Administratës Publike, të vitit 2014, nga totali i shërbyesve civilë prej 16 mijë e 364 shërbyes civil, 14 mijë e 925 janë shqiptarë, 909 janë serb, 239 janë boshnjak, 189 turq, 24 janë goran, ndërsa nga komunitetet rom, ashkalinjë dhe egjiptian, 37 janë rom, 27 ashkalinjë dhe vetëm 14 egjiptian të cilët janë të integruar në institucionet qendrore dhe lokale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat