Sllovakia ndryshon qëndrim për Kosovën

Kosova

Sllovakia ndryshon qëndrim për Kosovën

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 13:04

Në seancën e fundit informuese të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Sllovakisë, ku u bisedua për dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës e Sllovakisë, Roman Hloben, drejtor i Departamentit për Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovakisë i është referuar Kosovës si shtet, duke pohuar se “normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është në proces e sipër.

Të dy shtetet kanë zhvilluar bisedime konstruktive mbi çështje praktike”.
Në këtë seancë informuese të organizuar nga Frantishek Shebej, kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në MPJ-në sllovake, mori pjesë edhe Millan Niç, drejtor në Institutin për Politika për Evropën Qendrore (CEPI).
Pjesëmarrësit theksuan se Sllovakia, ndonëse ende nuk e ka njohur Kosovën, mbështet nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) mes Kosovës dhe BE-së, transmeton KosovaPress.

Në këtë seancë është diskutuar edhe për hapjen e Zyrës së përfaqësimit të Kosovës në Bratisllavë, që pritet të pasojë hapjen e Zyrës së Kosovës në Athinë.

Deputetët e pranishëm në seancën informuese gjithashtu kanë mbështetur integrimin e Kosovës në struktura të bashkëpunimit policor ndërkombëtar dhe anëtarësimin e saj në asociacione sportive ndërkombëtare.
Vetëm disa ditë para seancës informuese në MPJ-në e Sllovakisë, një zyrtar i lartë i Komitetit për Mbrojtje dhe Siguri në parlamentin sllovak, njëherësh ish-ministër i mbrojtjes, L’ubomir Galko, vizitoi Kosovën ku zhvilloi një sërë takimesh.

Ndër të tjera, Galko zhvilloi bisedime mbi të ardhmen e marrëdhënieve sllovako-kosovare me zëvendësministrin e jashtëm të Kosovës, Petrit Selimi, me ministrin e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, si dhe me ish-zëvendësministrin e brendshëm, Sasha Rashiq, nga pakica serbe në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat