Arsim Bajrami anashkalon Presidenten

Kosova

Arsim Bajrami anashkalon Presidenten

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 11:06

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare, qindra milionëshe, pa aprovim paraprak nga presidentja e vendit, Ahtifete Jahjaga, edhe pse ka qenë i obliguar me ligj.

Ai pa pyetur askënd, në mesin e muajit shtator, (18 shtator) në Split të Kroacisë, nënshkruajti marrëveshjen për themelimin e Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione.

E gati një javë pasi u përfundua gjithçka, Gazeta Fjala mëson se Qeveria e Kosovës filloi procedurat për të kërkuar leje nga e para e shtetit që të nënshkruhet një marrëveshje e tillë.

Sipas ligjit, para se dikush nga zyrtarët shtetëror të Kosovës të bëjë ndonjë marrëveshje, duhet të kërkoj autorizim nga presidentja e vendit. Ligji për marrëveshjet ndërkombëtare e parasheh këtë.

Në nenin e 7 të tij, ky ligj i jep kohë presidents 15 ditë kohë për ta shyqrtuar kërkesën deri në marrjen e vendimit për aprovim.

“Autorizimet nënshkruhen nga Presidenti dhe Ministri i Punëve të Jashtme”, specifikon ky ligj.
Por ministri, Arsim Bajrami duket se nuk ka pritur kaq gjatë.

Ministri Bajrami e dha nënshkrimin e tij në mesin e nënshkrimeve edhe të ministrave të arsimit të shteteve fqinjë si Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi.

Kjo Qendër parashihet të promovojë mobilitetin e hulumtueseve të rinj dhe kandidatëve për doktoratë në kuadër të rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe mes rajonit dhe vendeve tjera.

Për këtë marrëveshje u dha jehonë e madhe nga Ministria në medie.

Por, Gazeta Fjala, merr vesh se pesë ditë pasi që zyra për informim e MASHT-it njoftoi për nënshkrimin e saj, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e datës 23 shtator, mori vendim që të aprovohet propozimi i ministrisë së Arsimit për t`i rekomanduar Presidentes aprovimin për nënshkrim.

“I rekomandohet Presidents së Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit për nënshrkimin e marrëveshjes…Konform afatit të përcaktuar në ligjin për marrëveshjet ndërkomëbëtare”, thuhet në këtë vendim.

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës ende nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës, se pse u nënshkrua marrëveshja pa aprovim paraprak edhe pas katër ditë pritjeje.

Gazeta Fjala ka kontaktuar edhe zyrën e Presidentes për të kuptuar nëse është marrë vendimi pas kërkesës nga Qeveria, por nuk kanë dhënë ndonjë sqarim.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ministri Bajrami kishte theksuar se themelimi i kësaj qendre është një mundësi shumë e mirë për partneritetin e hulumtuesve tanë dhe si rezultat edhe për zhvillimin ekonomik të vendeve tona.

“Ne kemi nevojë si shtete të reja të ngrisim standardin e hulumtimit shkencor dhe inovacionit”.

Sipas komunikatës për media themelimi i kësaj Qendre dhe asistenca teknike rajonale për të është e paraparë edhe në kuadër të Strategjisë Rajonale të Ballkanit Perëndimor për Shkencë dhe Hulumtim në të cilën është e përfshirë edhe Kosova.

Dhe se Bashkimi Evropian do të mbeshtesë këtë qendër me 200 milionë euro, fond në të cilin do të mund të përfitojnë përmes projekteve edhe hulumtuesit kosovarë./Gazeta Fjala/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat