Ambasadorët i 'ngrehin veshin' Veselit: Po rrezikoni për të shkuar përpara (Foto + Video)

Kosova

Ambasadorët i 'ngrehin veshin' Veselit: Po rrezikoni për të shkuar përpara (Foto + Video)

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 09:26

(E plotesuar) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe përfaqësuesit e BE-së në Kosovë.

“Ambasadorët shprehën shqetësimin e vendeve të tyre për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës nga veprimet e partive opozitare. Ata i dhanë mbështetje të plotë Kryetarit Veseli dhe e përgëzuan për lidershipin e vendosur demokratik të treguar në drejtimin e Kuvendit në situatën aktuale”, thuhet në njoftimin për media.

Ambasadorët theksuan se për vendet e tyre janë të papranueshme veprimet që cënojnë parimet dhe vlerat e demokracisë, mbi të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë institucionet e Kosovës. Më tutje ata theksuan se të tilla veprime antidemokratike rrezikojnë të dëmtojnë përpjekjet e Kosovës për të ecur më shpejt në rrugën e saj evropiane.

Nga ana e tij Veseli falënderoj ambasadorët për përkrahjen e tyre duke theksuar se Kosova ka qenë, është dhe do të jetë një storie e partneritetit me vendet mike perëndimore.

Më tutje Veseli theksoj nevojën për një angazhim më proaktiv të të gjithëve, brenda këtij partneriteti, në mënyrë që vendi të ecë përpara dhe skenarët e destabilizimit e të kthimit pas të mos kenë rast të jetësohen.

Kryetari Veseli në takim premtoi se do të vazhdoj kursin e përpjekjeve për të gjetur një rrugë komunikimi e dialogu me opozitën, në mënyrë që demokracia parlamentare të mos cenohet dhe vendi të ecë përpara.

“Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë që të shtyhen drejt konfrontimit të rrugës për shkak të mospajtimeve brenda klasës politike”, tha Veseli .

Ai theksoi më tutje se është koha e fundit që Bashkimi Evropian të japë shenja konkrete të shpresës dhe hapa konkret në afrimin e Kosovës me BE-në, sepse nuk janë serbët apo pakicat tjera rreziku i Kosovës, por varfëria dhe izolimi.



Ka filluar takimi i ambasadorëve të Quint-it me Veselin

Ambasadorët e shteteve të Quint-it, po takohen me Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për të diskutuar për gjendjen aktuale në Kuvend, pas veprimeve të njëpasnjëshme të opozitës në seancat e fundit

Ambasadorët e SHBA-ve, Gjermanisë, Francës, Anglisë, Italisë etj, po diskutojnë sot me kryeparlamentarin Veseli, për të gjetur një formë për tejkalimin e kësaj situate të krijuar nga bllokada opozitare, raporton lajmi.net.

Tre partitë e Opozitës, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, në tre seancat e fundit, kanë bllokuar punën në Kuvend, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa të tërheq nënshkrimin nga marrëveshjet e gushtit të arritura në Bruksel me Serbinë, me theks të veçantë, nga marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Ndërkohë, ambasadorë të shteteve aleate, pas veprimeve të fundit në Kuvend, sidomos asaj të fundit, ku u hodh edhe gazë lotsjellës, kanë kritikuar njëzëri këto veprime, duke u bërë thirrje opozitarëve të jenë konstruktiv në gjetjen e një konsensusi për të arritur kompromis me partitë në pushtet lidhur me kërkesat e tyre.

Veseli, sot takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në mesditë do të takohet me ambasadorët e vendeve të Quint-it.
Seanca e djeshme e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar me miratimin e disa projektligjeve, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të opozitës për të bllokuar punën.

Deputetët e opozitës, fillimisht kanë përdorur filikaça për të bllokuar seancën e Kuvendit. Më pas, duke parë se kjo gjë nuk po “funksionon”, kanë hedhur ujë dhe pastaj edhe gaz lotsjellës brenda sallës së Kuvendit.

Megjithatë, me gjithë kushtet jo të përshtatshme për punë, deputetët e pozitës kanë arritur të miratojnë disa ligje dhe është bërë përfundimi i seancës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat