Edhe Prishtina vishet kuq e zi

Kosova

Edhe Prishtina vishet kuq e zi

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 18:21

Nuk është 28 Nëntori, kur edhe festohet Dita e Flamurit dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Por në Prishtinë dhe në tërë Kosovën kudo valojnë flamujt kombëtarë. Krejt kjo po bëhet në përkrahje të kombëtares së Shqipërisë së cilës i kanë mbetur më pak se tri orë kur do të ndeshet në futboll me përfaqësuesen e Serbisë në stadiumin “Elbasan Arena”.

Në kryeqytetin e Kosovës , atmosfera e ndeshjes së sotme ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë ka filluar të ndjehet qysh në mëngjes.

Dyqane të ndryshme dhe kafenetë janë dekoruar me flamuj të kombëtares, madje edhe shumë qytetarë nëpër qytet janë parë me bluza apo kapela kuqezinj. Ndërsa, gjatë rrugës sot kudo që ke shkuar ke mundur të dëgjosh vetëm himnin e kombëtares së Shqipërisë.

Po ashtu, gjatë ditës kanë filluar edhe veturat të sillen me sirena dhe flamuj të ngjitur në to, e cila tregon se qytetarët e Kosovës po e presin me padurim këtë ngjarje dhe se po presin një fitore të sigurt.

E sheshi i qytetit ishte i mbushur me shitësit ambulantë, të cilët kanë dal për të shitur edhe rroba të kombëtares kuqezi në mënyrë që qytetarët të mund të jenë të veshur me to gjatë kohës sa do të zhvillohet ndeshja.

Se kjo ndeshje është një ngjarje shumë e madhe tregojnë edhe vet qytetarët, të cilët thonë se janë tepër të entuziazmuar dhe se presin gjithqysh një fitore të Shqipërisë.

Naim Muçaj, i cili është nga Peja,thotë se ndeshjen do e shikojë së bashku me familje në qytetin e tij, edhe pse nuk është i bindur nëse do mund ta shikojë gjithë lojën nga emocionet e shumta që e kanë kapluar atë që tani.

“Me familje do jem, por sigurisht me pauza se jo gjithë lojën, sepse kam shumë emocione sikur jam vet në fushë...Thellë në mua shpresoj që 3 me 0 për Shqipërinë, por, vetëm gjysmën le ta bëjnë mjaft është”, tha Muçaj.

Edon Haziri i cili është nga Prishtina thotë se emocionet për këtë ndeshje kanë filluar qysh nga mëngjesi.

“Ndeshjen në shpi me familje, duke e pritur jemi por ishalla fitojmë e nuk bëhet siç është bërë në Serbi, vetëm besoj që kemi për të fituar... emocione kam pasur prej që jam zgjuar nga gjumi deri më tani”, tha Haziri.

Rona Spahiu, e cila kishte veshur bluzën e kuqezinjve thotë se ndeshjen është duke e pritur me padurim dhe se do e shikojë në sheshin e Prishtinës. Ajo, shpreson qe fitorja do të jetë 2 me 0 në të mirë të Shqipërisë.

“Jemi duke pritur për një kohë shumë të gjatë dhe shpresoj që do të fitojmë, atë po e presim të gjithë... mezi po pres të vijë edhe ndeshja, do të vijmë ta shikojmë këtu në qendër të Prishtinës, për shkak se nuk kemi mundur që të shkojmë në Elbasan. Me shoqëri dhe familje. Shpresojmë të jetë 2 me 0 po tash të shohim fatin”,tha Spahiu.

Se sa rëndësi ka fitorja e Shqipërisë sonte tregon edhe Edonis Sutaj, i cili ka ardhur së bashku me familjen e tij nga Zvicra, enkas vetëm për këtë lojë. Ai thotë se Shqipëria do fitojë me rezultat 3 me 0.

“Unë jam nga Zvicra, kam ardhur ekstra për ta shikuar lojën edhe them se Shqipëria do të fitoj 3 me 0”, tha Sutaj.

E të gjithë qytetarët që duan ta shikojnë këtë ngjarje në ambientet publike, ata mund ta bëjnë në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku KD Events & Communication ka organizuar çdo gjë vetëm e vetëm që ky organizim të shkoj siç duhet.

Sipas, organizatorit , Kushtrim Demiri, ky event është organizuar në shtatë qytete kryesore të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe qytetin e Mitrovicës, që pas tentimeve të shumta më në fund sot kanë marrë lajmin se mun d të bëjnë organizimin edhe në këtë qytet.

Ai tregon se ndeshja do të shoqërohet edhe me muzikë, fishekzjarrë dhe pije të ndryshme.

“Për herë të parë kanë me qenë 5 monitor gjigantë, kemi thënë se do të jenë gjashtë por një e kemi dërguar në Mitrovicë, kështu që e kemi bërë zgjidhjen për Mitrovicë, janë pesë monitorë gjigant që asnjëherë nuk ka ndodhur deri më tani, ka muzikë, ka fishekzjarrë, ka koeragrafi të fitores, ka kafe, ka çaj, ka pije e gjithçka tjetër. Të gjithë qytetarët e qyteteve, qytezave i ftojmë publikisht të jenë këtu”, tha Demiri.

Përveç sheshit, edhe kafene të shumta të qytetit sonte do e transmetojnë këtë ndeshje nëpërmes televizioneve.

Njëra nga to është edhe Journal Kafe e cila gjendet përball Kinemasë ABC, e që nga dita e djeshme ky lokal edhe është mbushur me flamuj.

Pronari i kësaj kafiterie, Naim Ramizi, i cili edhe vet po e pret me padurim këtë ndeshje, thotë se tani në lokalin e tij janë rezervuar të gjitha vendet.

“Ndeshjen do ta transmetojmë gjithsesi, klientët tanë tashmë i kanë rezervuar të gjitha vendet, natyrisht është një emocion shumë i madh dhe presim fitore, shpresojmë të mos zhgënjehemi këtë herë.. do të thoja në radhë të parë si shqiptar, pastaj si tifoz i flakët i Kombëtares mëngjesin e djeshëm e kam vendosur flamurin kuqezi, pastaj sot kemi vendosur edhe të tjerat, që të dukemi më të veçantë se të tjerat. ..Nga numri i madh i prenotimeve jemi detyruar t’i largojmë tavolinat dhe t’i bëjmë hapësirë të gjithëve. Besoj që do të qëndrojnë në këmbë, sepse nuk kanë vend për t’u ulur”, tha Ramizi.

Kjo është ndeshja kthyese ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë në grupin I, e cila është e vlefshme për kualifikimin në Kampionatin Evropian “Euro 2016”.

Edhe pse ndeshja e parë që është zhvilluar më 14 tetor në Beograd, është ndërprerë për shkak të një kombëtarja e Shqipërisë është sulmuar nga tifozët serbë. Ndërkohë që FIFA me një vendim të saj ia ka dhënë tri pikë Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat