Veseli: Sot ka mundur të ketë viktima në Kuvend, seanca e radhës më 15 tetor

Kosova

Veseli: Sot ka mundur të ketë viktima në Kuvend, seanca e radhës më 15 tetor

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 17:48

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që me 15 tetor të mbahet seancë e re plenare.

Nënkryetari Xhavit Haliti tha se Kryesisë i nevojitet një kohë për analizimin e gjendjes në Kuvend. Ai tha se është një gjendje jo normale madje nuk ka parë as në televizion skena të tilla.

Në mbledhjen e Kryesisë që u mbajt pasdite nuk kanë marrë pjesë shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare.

Haliti tha se Kryesia duhet që të shohë se si ka funksionuar sigurimi dhe si janë futur mjetet e opozitës në Kuvend.

Sipas tij duhet që në mënyrë urgjente duhet t’i blejnë dy skanerë në mënyrë që të merren masa që skanimi dhe kontrolli me qenë normal dhe që të mos ketë mundësi që të futën gjëra që lëndojnë deputetët.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se ka mbi tri javë që ballafaqohen me bllokimin e Kuvendit. Sipas tij është një situatë që po vë në pikëpyetje të zhvillimit të demokracisë.

Veseli shtoi se nuk besoi që në ndonjë vend të ndodh një abuzim i tillë ku opozita dhunon pozitën, aq më pak përdorimi i dhunës.

Sipas Veselit futja e gazit lotsjellës dhe skalperëve duhet të dinë se kërcënime të tilla mund të sjellin edhe viktima.

Veseli tha se deklarimi se ka pasur aktrim nga deputetet e PDK-së është qesharake. Sipas kryeparlamentarit nuk ka nevojë për sigurim por edhe dhuna ndaj deputetëve është e patolerueshme.

"Nuk mund ta nënvlerësojmë këtë turp që ka ndodhur sot. Nuk do të ketë media në botë që nuk do ta vendos këtë turp si lajm qendror", tha Veseli.

Sipas kreut të Kuvendit sot ka mundur të ketë edhe viktima. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri tha se kjo është për keqardhje dhe se nuk ka qenë asgjë tjetër pos dhunë dhe se nuk guxon të ndodh më.

Ai tha se po rrezikohen deputetët e tyre. Beqiri tha se kudo në botë kontrollohen deputetët dhe të shikohet se çfarë po fusin deputetët brenda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat