LDK: Kërcënimi i Durmishit ndaj kryeministrit Mustafa cenimin i demokracisë

Kosova

LDK: Kërcënimi i Durmishit ndaj kryeministrit Mustafa cenimin i demokracisë

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 17:22

Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se kërcënimi i drejtorit të infrastrukturës, Hysen Durmishit, ndaj kryeministrit të Kosovës, paraqet nxitje për cenimin e demokracisë, të rendit e të sigurisë në Komunën e Prishtinës.

“Grupi konsideron se asfarë kërcënimi nga ky drejtor ekzekutiv i Shpend Ahmetit, i dështuar përfundimisht në menaxhimin e projekteve kapitale të infrastrukturës, me shkelje të ligjit, me politika përjashtuese ndaj profesionistëve, me linçime, duke shkaktuar frikë te shërbyesit civilë dhe duke i dalë rend të merret me kërcënime ndaj shtetit, ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, nuk do t’ia mbulojë dështimet dhe mashtrimet ndaj qytetarëve të kryeqytetit”, thuhet në komunikatë për medie e grupit të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës.

Grupi i LDK-së konsideron se sjelljet politike përjashtuese të Shpend Ahmetit, dështimet e tij në të gjitha fushat e zhvillimit të kryeqytetit, pra edhe dështimi i pakthyeshëm i drejtorit Hysen Durmishi, janë dëshmia më e mirë se atyre nuk u intereson ky zhvillim, por përpjekja për të nxitur dhe shkaktuar frikë dhe dhunë në kryeqytet, duke kërcënuar drejtpërdrejt organet më të larta shtetërore dhe kushtetuese, siç është kryeministri i Republikës.

Grupi i LDK-së konsideron se rreziku nga drejtorët komunalë për të organizuar dhe për të shkaktuar dhunë në kryeqytet sipas urdhrave të zyrave politike dhe komiteteve të VV-ës, është permanent.

Duke qenë se qytetarët tanimë e kanë kuptuar politikën bllokuese dhe stagnuese të VV për zhvillimin e kryeqytetit, e cila po provohet tash e gati 2 vjet në kryeqytet, grupi i LDK-së i thërret të gjitha organet udhëheqëse komunale, edhe Hysen Durmishin, që të tërhiqen nga koncepti i VV, i cili që nga mëngjesi e deri në mbrëmje thërret për dhunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat