Mbështetje nga Estonia për liberalizimin e vizave, MSA-në dhe anëtarësimin në UNESCO

Kosova

Mbështetje nga Estonia për liberalizimin e vizave, MSA-në dhe anëtarësimin në UNESCO

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 16:52

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, është takuar sot në Talin me ministren e Punëve të Jashtme të Estonisë, Marina Kaljurand.

Siç bëhet e ditur nga një njoftim i kësaj ministrie, Çollaku e ka falënderuar ministren Kaljurand për mbështetjen që Estonia i ka dhënë Kosovës në shumë sfera, me theks të veçantë përmes prezencës dhe kontributit në misionin e KFOR-it dhe EULEX-it si dhe për përkrahjen ndaj agjendës evropiane të Kosovës.

Bëhet e ditur se lidhur me agjendën evropiane, ministri Çollaku e njoftoi më në detaje ministren Kaljurand rreth progresit të arritur, duke nënvizuar se “obligimet janë përmbushur dhe tani presim konkretizimin e punës sonë në drejtim të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) si dhe rekomandimin pozitiv për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”.

Po ashtu ministri Çollaku, ka përsëritur qëndrimin se çelës i stabilitetit dhe zhvillimit në Kosovë dhe rajon është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Më tej ministri ka deklaruar se Kosova do të ndjek shembullin e Estonisë për integrim në BE dhe në NATO.

“Ministrja Kaljurand, përgëzoi ministrin Çollaku, për progresin që ka bërë Kosova në drejtim të agjendës evropiane si dhe për vendimet e institucioneve të Kosovës të cilat përbëjnë një hap të rëndësishëm në rrugën Euro-Atlantike të Kosovës. Kryediplomatja estoneze rikonfirmoi, qëndrimin mbështetës të shtetit të saj në nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe liberalizimit të vizave si dhe përkrahje të fuqishme ndaj procesit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, thuhet më tej në njoftim.

Më tej gjithashtu shtohet se gjatë takimit palët u dakorduan mes tjerash edhe për forcimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve sidomos në fushën e inovacionit dhe qeverisjes elektronike, segment ky në të cilin Estonia vazhdon të mbetet vend model.

Në fund bëhet e ditur se gjatë vizitës në Talin, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka zhvilluar edhe takime të tjera me zyrtarë të lartë të këtij shteti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat