Çështja e të pagjeturve po zvarritet, pala serbe nuk bashkëpunon

Kosova

Çështja e të pagjeturve po zvarritet, pala serbe nuk bashkëpunon

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 15:57

Pala serbe po vazhdon të zvarrisë procesin për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, gjatë luftës së fundit në Kosovë. Gjatë këtij viti, u zhvilluan 17 aktivitete gërmuese, vetëm dy prej tyre ishin në Serbi, ku edhe u ndërprenë punimet dy herë nga pala serbe.

Për palën e Kosovës, Kozareva afër Novi Pazarit dhe Jallovishta afër Rudnicës, nuk kanë përfunduar ende. Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj thotë se Serbia mbetet adresa kryesore për të kërkuar të pagjeturit pasi që në atë territor ka varreza masive.

Ai sot mblodhi komisionin për të raportuar rreth pjesëmarrjes së Kosovës në sesionin e 30-të të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, për gjendjen në Departamentin e Mjekësisë Ligjore dhe për aktivitetet e mbajtura më 30 gusht, që shënoi Ditën Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur.

Gjetaj shprehu shqetësim për pengesat që po i vë pala serbe në procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur. Këtu përmendi punimet në Kozarevë, që u ndërprenë dy herë gjatë këtij viti.

“Adresë kryesore për të kërkuar të pagjeturit është Serbia. Për arsye se, ende vazhdojmë të dyshojmë për varreza masive në Serbi, me vet faktin se ky numër kaq i madh i të zhdukurve diku janë, Serbia ua ka fshehur varret. ....Për këto zhagitje, për këto obstruksione, që krijon pala serbe, përforcohet dyshimi ynë që aty është një varrezë masive”, tha ai.

Gjetaj pranoi se këtë vit nuk ka pas aktivitete të mjaftueshme në terren. 15 të tilla u kryen në territorin e Kosovës e dy në atë të Serbisë.

Megjithatë, ai tha se do të mundohen që ta shfrytëzojnë edhe muajin nëntor për ndonjë aktivitet në terren, meqenëse pas ftohjes së motit kjo bëhet e pamundur.

Me anëtarët e komisionit, Gjetaj diskutoi për gjendjen në Departamentin e Mjekësisë Ligjore dhe pjesëmarrjen e Kosovës në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Gjetaj këtë pjesëmarrje e ka cilësuar si shumë pozitive, pasi që për herë të parë Kosovës i është dhënë mundësia të ngrejë zërin, si shtet, për dhunën që i është bërë.

Shqetësim për palën kosovare mbetet rrjedha e bisedimeve me Serbinë lidhur me procesin e ndriçimit të personave të zhdukur.

Kryesuesi i delegacionit, tashmë i ndjerë, Pajazit Nushi, deri tani nuk është zëvendësuar me një tjetër nga ana e qeverisë.

Për këtë, Gjetaj tha se ende nuk kanë marrë ndonjë informatë nga qeveria, se kush do të emërohet në vend të tij.

Në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e më shumë se 1500 persona të vrarë, të zhdukur pastaj, nga forcat serbe, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat