Kadri Veseli dirigjon opozitën kundër Isa Mustafës

Kosova

Kadri Veseli dirigjon opozitën kundër Isa Mustafës

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 11:36

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar të mbes i bllokuar. Opozita me filikaqe në Kuvend, të ngritur në këmbë e kanë ndërprerë seancën.
Por, kujt po i konvenon më shumë kjo situatë. Krijimi i gjykatës speciale i ka bërë bashkë shumë kundërshtarë, por më së shumti ka bashkuar pakënaqësinë e opozitës dhe të pakënaqurve në maksimum të partisë më të madhe në pushtet PDK-së, atyre që dirigjohen nga SHIK-u.
Kjo pakënaqësi e këtij organizimi, jo e atdhedashësve të opozitës, por të të instrumentalizuarve të SHIK-ut, është rritur pas arrestimit të Xhemshit Krasniqit, një ish eprori të UÇK-së, që nuk njihet për ndonjë vrasje deri më sot, por që akuzohet se ishte në shërbim të eshalonit të vrasësve dhe torturuesve të krijuara nga struktura të LPK-së, të cilët kishin zgjedhur që herët dhunën për t’ju kundërvënë presidentit të Republikës Ibrahim Rugova, madje me idenë se nuk ekzistonte ajo republikë, se ishte një fantom, dhe më tej akoma duke e akuzuar se po shkelte interesat e atdheut. Për pasojë, duheshin ndjekur mbështetësit e tij, por që siç treguan edhe zgjedhjet e pas luftës, pavarësisht të gjithave ai vazhdonte të dominonte politikën dhe bindjet e lira të shqiptarëve. Por, retorika agresive, pa argumente dhe pa logjikën e mirëfilltë kombëtare, çoi në viktimizimin e shumë shqiptarëve. Për këtë shkak, por edhe për shumë gabime të vazhdueshme në politikë, të kësaj korie politike, e kanë humbur mbështetjen e shumicës dërmuese të shqiptarëve.
Të gjetur në këtë situatë, ata kanë kthyer sytë atje ku janë më të fuqishëm, të mbrohen nëpërmjet institucioneve, për të cilat tashmë të gjithë pajtohen, edhe Kryeministri se janë të kapura nga këta.
Në dy seancat e ndërprera më parë u pa qartë se kryekuvendari, ish drejtuesi i SHIK-ut, Kadri Veseli, shprehte revoltë se pse forcat e sigurimit të kryeministrit Mustafa kishin hyrë ta mbronin atë, madje bërtiste me urrejtje duke i kërkuar të dilnin jashtë. Vetë deputetë të opozitës teksa po i hakërroheshin kryesisë së punës i thoshin Veselit, ‘se kemi me ty’.
Ndërsa, sot kryekuvendari qartazi e orkestron opozitën kundër Isa Mustafës, kryeministrit të vendit, duke u thënë, “Shkoni në qeveri, ajo e ka miratuar Zajednicën dhe Asociacionin!”.
Një ditë më parë opozita paralajmëroi, përfshirë edhe kryetarin e AAK-së Ramush Haradinajn, se do të bllokohet edhe qeveria!
Sapo kryeministri mbrëmë e bëri të qartë se është i kërcënuar, kryekuvendari këshillon publikisht opozitën që t’ia rris presionin Kryeministrit!
Pra, kjo sintoni, kjo shprehje e qartë e Veselit, e nxjerr përfundimisht nga maskimet që ka pasur, se në krye të të gjithës është ish Shërbimi Informativ i Kosovës! I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat