Pupovci: Kërkesa për shkarkim të rektorit, vjen nga ata që e degraduan UP-në

Kosova

Pupovci: Kërkesa për shkarkim të rektorit, vjen nga ata që e degraduan UP-në

Nga: Arben Sylejmani Më: 8 tetor 2015 Në ora: 09:33

Profesori universitar, Dukagjin Pupovci thotë se kërkesa për shkarkim të rektorit Zejnullahu vjen nga ata të cilët e kanë degraduar Universitetin e Prishtinës.

“Kjo përbërje e Senatit, me pak ndryshime dhe pa i llogaritur studentët senatorë, është në detyrë tani 3 vjet. Pra, ka qenë në detyrë edhe në kohën kur UP-ja është goditur rëndë nga skandali i publikimeve false që janë shfrytëzuar për avancime akademike. Dhe, në atë kohë, Senati, jo që nuk ka marrë iniciativë për përcaktimin e përgjegjësisë së rektorit të atëhershëm, por ka bërë çmos që ta merr në mbrojtj. Tani, Senati merr veprim kundër rektorit aktual i cili përpiqet të vë një rend në fushën e avancimeve akademike. Për çudi, kërkesa për shkarkim nuk i referohet fare kësaj pike neuralgjike rreth së cilës ka pasur shumë debate në Universitet dhe në opinion, por merret me disa pika të tjera që, sipas mendimit tim, nuk janë arsyeja e vërtetë e nismës”, thotë Pupovci.

Sa i përket kërkesave të disa organizatave studentore, Pupovci thotë se ato duhet të reflektojnë dhe të marrin një pozicion që është në interes të studentëve, e jo të shkëmbejnë favore që sipas tij nuk i kanë hijë një universiteti.

“Nga disa prononcime publike po kuptohet se këtu ekziston një marrëveshje që anëtarët e Senatiti të përkrahin kërkesën e studentëve për afat të tetorit, ndërsa këta të fundit kërkesën e tyre për shkarkimin e rektorit. Mendoj se këmbimet e tilla të favoreve nuk i kanë hije një universiteti.

Në çdo universitet të botës, studentët janë ajo avangarda që prinë në procesin e ndryshimeve, e jo linja konzervative që kërkon ruajtjen e status - quos. Prandaj, shpresoj se edhe organizatat studentore në UP do të reflektojnë nga ky këndvështrim dhe të marrin një pozicion që është në interesin afatgjatë të studentëve”, tha për “Bota sot”, profesori Pupovci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat