Shoqëria civile dhe studentët organizojnë marsh pro rektorit

Kosova

Shoqëria civile dhe studentët organizojnë marsh pro rektorit

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 17:54

Bashkimi i grupeve të studentëve me përkrahjen e shoqërisë civile do të organizojnë mbajtjen e një marshi në përkrahje të menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës.

Për këtë qëllim është formuar dhe Iniciativa "Për Arsim Cilësor", e cila ka njoftuar se grupe të studentëve të mbështetur nga shoqëria civile janë dakorduar për mbajtjen e një marshi të studentëve si dhe qytetarëve si taksapagues që e bëjnë të mundshëm ekzistimin e Universitetit të Prishtinës, në mbështetje të reformave të nisura nga menaxhmenti aktual i tij dhe për rritjen e cilësisë në arsim në përgjithësi.

“Universiteti i Prishtinës po kalon në një periudhë të vështirë si pasojë e interferimit të politikës dhe funksionimit të grupeve të interesit të cilat po mundohen t’i pengojnë reformat që e kanë ngritur për njëmijë vende pozitën e universitetit në vlerësimin ndërkombtar”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj komunikate grupe të ndryshme studentësh të lidhur me grupe të dyshuara për falsifikime e vepra të tjera penale, po manipulojnë me studentët duke i keqinformuar dhe duke i joshur me premtime për uljen e kritereve kinse për t’i përmirësuar kushtet e studimeve.

“Kjo iniciativë në thelb kriminale duhet ta marrë përgjigjen e të gjithë qytetarëve që mbushin fondet publike me të cilat mbahen institucionet publike siç është universiteti.

Në përgjithësi arsimi në Kosovë është në një nivel të mjerueshëm duke bërë që niveli akademik e intelektual në Kosovë të jetë nën nivelin ballkanik e evropian”, thuhet në komunikatë.

Nesër, më 8 tetor 2015, në orën 10:00, para Bibliotekës Kombëtare, Iniciativa "Për Arsim Cilësor", do të bëjë prezantimin e kërkesave dhe marshutës për marshin që do të mbahet gjatë kësaj jave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat