​Mustafa: Me 30 nëntor përmbushen kriteret për liberalizim (Video)

Kosova

​Mustafa: Me 30 nëntor përmbushen kriteret për liberalizim (Video)

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 10:19

(I plotësuar) - Kosova deri me 30 nëntor do t’i përfundoj përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave të parashtruara nga Bashkimi Evropian.

Këtë zotim e dha sot kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë, në të cilën njoftoi se deri me tani janë plotësuar 87 kritere nga 95 sa janë gjithsejtë.

Kryeministri Mustafa tha se edhe 8 kriteret e mbetura do të përmbushen plotësisht deri me 30 nëntor dhe pastaj nuk do të ketë më arsye që Bashkimi Evropian të shtyj datën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kreu i ekzekutivit theksoi se në momentin që të jepet vlerësimi se janë plotësuar të gjitha kushtet teknike që janë kërkuar prej institucioneve të Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave do të merret vendimi politik për caktimin e datës për liberalizim.

Mustafa: Deri në fund të nëntorit do t’i përmbushim kriteret për liberalizim

“Mund t’iu them se sipas vlerësimeve tona, por jo vetëm tonat por edhe të komisi onit që e ka bërë vlerësimin, ne kemi plotësuar plotësisht 87 kritere, prej 95 sa janë, do të thotë kanë mbetur 8 të cilat i kemi plotësuar gati shumicën prej tyre, por është mbetur që të përplotësohen krejtësisht. Kemi pasur një bisedë me përfaqësues të institucionet të cilat bien edhe këto kritere, edhe të ministrive të caktuara të Qeverisë, MPB-së, MIE-së, MD-së, prokurorin e përgjithshëm, kryetarin e KGJK-së, drejtorin e Policisë, dhe jemi marr vesh që të punojmë në mënyrë që deri me datën 30 nëntor ne t’i përfundojmë tërësisht të gjitha kërkesat që shtrohen para nesh sa i përket liberalizimit të vizave”, tha Mustafa.

I pari i Qeverisë po ashtu tha se është paralajmëruar që së shpejti do të ndodh edhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asoocim.

Kryeministri Mustafa gjatë kësaj mbledhje ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe për vizitën në New York, të cilën e vlerësoi si shum ë të suksesshme. Ai tha se përfaqësuesit e institucioneve kanë marrë pjesë në Samitin Global të Liderëve për Luftë Kundër ISIS-it dhe ekstremizmit të dhunshëm me ftesë të presidentit të SHBA-ve, ku janë trajtuar në mënyrë të barabartë sikurse edhe gjitha vendet e tjera në selinë e Kombeve të Bashkuara.

Derisa, fokusi kryesor gjatë vizitës së delegacionit të Kosovës në SHBA, Mustafa tha se ka qenë lobimi për anëtarësim në UNESCO.

Mustafa: Në New York ndër çështjet kryesore që kemi shpreh ka qenë anëtarësimi në UNESCO

“Një ndër çështjet që e kemi shpreh gati në gjitha takimet ka qenë anëtarësimi jonë në UNESCO. Kemi biseduar edhe për përkrahjen e tyre sa i përket liberalizimit të vizave, kemi biseduar lidhur me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, për procese tjera euroatlantike dhe po ashtu kemi biseduar për përkrahjen e tyre për shndërrimi n e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës”, tha ai.

Kabineti qeveritar në këtë mbledhje ka shtyrë ndarjen e mjeteve financiare për dëmet e shkaktuara nga trazirat e 17 dhe 18 marsit të vitit 2004, si dhe vendimin për dhënien e mjeteve financiare për Komunën e Shtërpcës.

Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi tha se pas ndarjes së 303 mijë eurove më herët për dëmet e shkaktuara nga trazirat e marsit 2004, me urdhëresë të përmbaruesit privat, duhet të ndahen edhe 85 mijë euro ndaj kompanisë “Drini Comerc”, dhe 12 mijë euro për rinovimin e disa shtëpive që janë dëmtuar nga po këto trazira.

Mirëpo, ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi kërkoi që të mos merren si të mirëqena urdhëresat e përmbaruesve privat pa i apeluar ato në të gjitha shkallet e gjykatës.

Krasniqi: Mos t’i marrim si të mirëqena urdhëresat e përmbaruesve privat

“Është krijuar tashmë prej kohës që kemi sistemin e përmbaruesve privat, është krijuar një shprehi që shumica e kreditorëve potencial, por edhe atyre të cilët nuk kanë aspak të drejt e kanë mësuar këtë rrugën e përmbaruesve privat dhe ne ballafaqohemi në baza javore me kërkesa të përmbaruesve me ekzekutim të pagesave të cilat mund të mos jenë të argumentuara drejt. Kërkesa ime në këtë rast ka të bëjë me këtë, ne si qeveri jemi të obliguar që të ndjekim dhe shfrytëzojmë të gjitha rrugët legale deri në momentin kur në vendim merr formën e prerë nga ana e Gjykatës, e mos t’i marrim si të mirëqena vendimet e përmbaruesve privat”, tha Krasniqi.

Pasi një debati mes ministrave, kryeministri Isa Mustafa propozoi që të anulohet vendimi për ndarjen e këtyre mjeteve dhe bashkë me propozim vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Komunën e Shtër pcës t’i dërgohen zyrës ligjore të Zyrës së Kryeministrit për t’i vlerësuar nëse ka hapësirë për t’i apeluar apo janë vendime përfundimtare që duhet zbatuar.

Komuna e Shtëprcës kishe hyrë në obligime financiare pa i pasur të garantuara në buxhetin e saj, të cilin kryeministri e vlerësoi se anti ligjor, sepse asnjë komunë nuk mund të hyjë në obligime financiare pa i pasur të garantuara mjetet në buxhet.

Ndërsa, me këtë propozim të kryeministrit u pajtua kabineti qeveritar, duke ia shtuar edhe një pikë që Qeveria nuk bën ekzekutimin e këtyre vendimeve pa i apeluar deri në shkallen e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat