Amendamenti për FAK-un tash shtatë muaj "fle" në Kuvend (Video)

Kosova

Amendamenti për FAK-un tash shtatë muaj "fle" në Kuvend (Video)

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 22:26

Po bëhen shtatë muaj që kur Qeveria e Kosovës ka miratuar amendamentin 35 që plotëson dhe ndryshon nenin 126 të Kushtetutës, e që është amendamenti thelbësor për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, dhe përcakton misionin e ri kushtetues për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Por, ky amendament ende nuk është diskutuar Kuvendin e Kosovës.

Zyra e Kryetarit Kadri Veseli nuk jep përgjigje se kur mund të vihet në rend dite.

Sa i përket procedurave ligjore që i hapin rrugë transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur, Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, thotë se, së pari duhet të miratohet Amendamenti në seancë, dhe më pas Qeveria ta procedojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës.

Opozita nuk është shprehur e gatshme të deklarohet nëse vendosja në rend dite e amendamentit do t’i kthente ata në Kuvend.

“Nuk duam të komentojmë derisa të vijë puna aty”, është shprehur Frashër Krasniqi, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është në pritje të përgjigjes të shumicës parlamentare se çfarë do të bëjë me dy temat kontestuese, siç janë demarkacioni dhe Asociacioni i Komunave Serbe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat