​Përurohet ura dhe rruga që të shpie tek uji i thartë në Deçan

Kosova

​Përurohet ura dhe rruga që të shpie tek uji i thartë në Deçan

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 19:36

KFOR-i në Kosovë përveç që ka ndihmuar shumë popullin kosovar që nga paslufta, ai po vazhdon të shërbejë për popullin e Kosovës edhe më tutje qoftë në siguri të vendit e po ashtu edhe duke kontribuar që qytetarëve të ua bëj jetën sociale sa më të lehtë.

Kështu, sot u përurua një rrugë e cila shpie tek uji i thartë në Deçan, e që është investim i vet KFOR-it.

Kjo rrugë e cila është shtruar me zhavorr shpie edhe në Manastirin e Deçanit nga ana e administratës lokale dhe përfshinë edhe ndërtimin e një ure nga ana e KFOR-it.

Të pranishëm në këtë përurim ishin gjenerali i KFOR-it Francesko Paolo Figuliuolo me shumë pjesëtarë të KFOR-it, kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, si dhe qytetarë.

Komandanti i Njësisë Shumëkombëshe Perëndimore të KFOR-it në Pejë, koloneli Ciro Forte tha se ky projekt ka për qëllim përmirësimin e trashëgimisë kulturore të përfaqësuar nga Manastiri i Deçanit, në mënyrë që të mund të bëhet trashëgimi e të gjithë qytetarëve.

Sipas tij, kjo rrugë paraqet avantazh të dyfishtë.

Forte: Kjo rrugë paraqet avantazh të dyfishtë

“Projekti i ndërtimi të rrugës-rreth 1 mijë e 100 metra në fakt paraqet një avantazh të dyfishtë dhe hynë në një program të gjerë të aktiviteteve për të konfirmuar angazhimin e kontingjentit kombëtar ndaj popullsisë vendore. Nga njëra anë mundësia e rritjes së lëvizshmërisë dhe sigurisë së patrullave të KFOR-it, të vendosura në mbrojtje të manastirit. Nga ana tjetër, një arritje më e lehtë e popullsisë lokale tek burimi i ujit mineral, vend që siç e kemi vënë re zgjon shumë interesimin e qytetarëve të Deçanit. Prandaj unë falënderoj të gjithë ata që me pasion dhe pa kursyer energji kanë punuar për realizimin e këtij projekti. Për mua është një nder të jem sot këtu”, tha Forte.

E i pari i Decanit, Rasim Selmanaj, këtë ngjarje e quajti si të jashtëzakonshme dhe shumë të rëndësishme, pasi që, sipas tij, kjo rrugë më parë ka qenë një ëndërr për këtë pjesë. Me k ëtë rast ai falënderoi shumë përkushtimin e KFOR-it.

Selmanaj: Edhe në të ardhmen do të kemi projekte të tjera me KFOR-in

“Në këtë bashkëpunim ne do të vazhdojmë të asfaltojmë rrugët e Deçanit sepse këndej ka nevojë të zhvillohet turizmi dhe mendoj që rregullimi i rrugëve është një ngjarje e mirë edhe për Manastirin. Ne kemi arritur jashtëzakonisht mirë të ndërtojmë raporte të mira të bashkëpunimit edhe me manastirin e Deçanit si rezultat i kësaj i kemi këto projekte. Jam shumë i bindur që këto raporte me manastirin do të vazhdojnë të jenë të mira dhe normal që ne do të vazhdojmë të implementojmë projekte që janë në interes të qytetarëve por edhe të vet manastirit. Edhe një herë në fund dëshiroj të falënderoj KFOR-in për këtë përkrahje dhe këtë investim, duke qenë të bindur se në të ardhmen e afërt do të bashkohemi për projektet që jan ë në interes të Deçanit dhe qytetarët dhe pse jo edhe për vet manastirin e Deçanit”, tha Selmanaj.

Për këtë rrugë u gëzuan shumë edhe qytetarët e kësaj ane.

Ismail Osdautaj, nga fshati Isniq të kësaj komune tha se kjo rrugë ka rëndësinë dhe peshën e vetë pasi që tash ata mund të qarkullojnë më lehtë edhe për të shkuar në bjeshkë. Për këtë ai falënderoi shumë KFOR-in italian.

Osdautaj: Falënderoj KFOR-in për këtë rrugë

“Përshëndes KFOR-in italian që ka dhënë një mundësi për tu zgjeruar kjo rrugë dhe për tu rregulluar kështu siç është këtu. Kjo rrugë është shekullore, që të qon në bjeshkët e Alpeve, kështu ka rëndësinë dhe peshën e vet rregullimi i kësaj rruge. Përshëndes KFOR-in italian për kontributin që kanë dhënë dhe për këtë ne jua dimë për nderë edhe për të kaluarën dhe të tashmen deri sa flitet për këtë rrugë”, tha Osdautaj.

Edhe Ali Berisha falënderoi shumë investitorët e kësaj rruge duke thënë që është një investim shumë i qëlluar.

Berisha: Ky është një investim i qëlluar

“Kjo rrugë ka për të kontribuar në cilin do aspekt që dëshiron popullata jonë. Së pari është që lidh bjeshkët tona, vendbanimet tona dhe është një investim shumë i qëlluar, i falënderoj shumë pavarësisht se kush ka qenë investitori dhe ata që e kanë marrë këtë iniciativë për qytetarët në përgjithësi, qoftë edhe komunave tjera që vijnë këtu për të mbledh gështenja, është një rrugë që nuk ka para që e paguan këtë”, tha Berisha.

Investimi në këtë rrugë i cili ka kushtuar 24 mijë euro, nuk është investimi i vetëm i KFOR-it në Kosovë, ata edhe më parë kanë qenë donatorë të shumë rrugëve dhe objekteve tjera./J.Gjinovci/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat