Veseli ka vizituar komunën e Fushë-Kosovës, Drenasit dhe Skenderajt

Kosova

Veseli ka vizituar komunën e Fushë-Kosovës, Drenasit dhe Skenderajt

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 17:17

Në kuadër të vizitave të rregullta nëpër komuna dhe në funksion të njohjes me nevojat e tyre, të cilat Kuvendi mund t'i adresojë nëpërmjet ligjeve, sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar komunën e Fushë-Kosovës, Drenasit dhe të Skenderajt, njofton kumtesa nga Kuvendi.

Në takimin me kryetarin e komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, kryetari Veseli u njoh me zhvillimin e komunës dhe sfidat me të cilat ballafaqohen drejtuesit komunal dhe qytetarët e kësaj komune.
Fushë-Kosova është një nga komunat me trendin e shpejt të rritjes së popullsisë, me një rritje të ndërtimeve, duke u bërë qendër e rëndësishme edhe e biznesit.

"Duke qenë qendër e shumë bizneseve dhe ndërtimeve, në afërsi të kryeqendrës, Fushë-Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë potencial për zhvillim të shpejtë dhe përmirësim të jetës së qytetarëve. Kuvendi i Kosovës do të jetë në funksion të iniciativave ligjore që ndihmojnë në këtë drejtim", theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Në takim, Veseli dhe Berisha diskutuan për çështjet, si ajo e ujit të pijes, rregullimi i territorit, problemet urbanistike nga rritja e shpejt e popullsisë, por edhe çështjet ambientale dhe ndotja e ajrit. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe turizmit arkeologjik.
Kryetari Veseli theksoi se iniciativat ligjore që vijnë nga komunat, në veçanti ato që i dedikohen zhvillimit ekonomik, do të gjejnë përkrahje të fuqishme nga Kuvendi i Kosovës, për t'i hapur rrugë tërheqjes së investimeve, zhvillimit të biznesit, krijimit të vendeve të reja të punës, duke i hequr procedurat e tepërta dhe burokracinë.

Gjatë vizitës në Komunën e Drenasit, kryetari Veseli inkurajoi udhëheqjen komunale që të thjeshtësojë sa më shumë procedurat dhe të lehtësojë qasjen e investimeve, në funksion të zhvillimit dhe hapjes së vendeve të reja të punës. Kreu i Kuvendit tha se Parku Industrial po jep efektet e veta dhe si rezultat i kësaj, duhet angazhuar që projektet e kësaj natyre të gjejnë hapësirë në këtë komunë.

Kryetari i komunës, Nexhat Demaku, e informoi Veseli me projektet kapitale në realizim e sipër, duke theksuar se prioritet i vazhdueshëm mbetet ngritja e mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimi ekonomik.
"Faza e ndërtimit të infrastrukturës rrugore dhe infrastrukturës së shërbimeve publike, shkollave, çerdheve, qendrave të shëndetit, është duke u përmbyllur me sukses. Tani në Drenicë duhet të bëjmë hapin tjetër: hapin e zhvillimit ekonomik e social", theksoi Kadri Veseli.

Në komunën e Skenderajt, Kryetari Veseli u prit nga nënkryetari Fadil Nura dhe kreu komunal, dhe me këtë rast u njoh nga afër me zhvillimet në komunë dhe sfidat e saj.

Nura theksoi se janë duke u finalizuar një mori e projekteve kapitale dhe vuri në pah rëndësinë e investimeve që po ndikojnë në ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Ndërsa Veseli foli për nevojën e shtimit të iniciativave dhe projekteve zhvillimore, që drejtpërdrejt ndikojnë në jetën e qytetarëve. Kryetari i Kuvendit tha se punësimi i të rinjve mbetet sfidë, ndërsa institucionet lokale duhet t'i japin mbështetje ndërmarrësisë private, projekteve për krijimin e vendeve të reja të punës dhe vetëpunësimit. Kjo në veçanti u takon komunave që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e vendit, si komuna e Skenderajt.
"Drenica nuk do të jetë vetëm vend i monumenteve të krenarisë kombëtare, por edhe vend ku njerëzit punojnë, prodhojnë, mbajnë familjet e tyre dhe i ndihmojnë zhvillimit të përgjithshëm të vendit", theksoi kryekuvendari, Kadri Veseli.

Kjo vizitë e kryekuvendarit Veseli në Skenderaj u konsiderua si tejet e veçantë dhe e mirëpritur, ngase për herë të parë në komunë kishin mysafir të këtij niveli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat