Mediat, rol të rëndësishëm në parandalimin e ekstremizmit

Kosova

Mediat, rol të rëndësishëm në parandalimin e ekstremizmit

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 17:13

Roli i medias është jashtëzakonisht i rëndësishëm në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, por diskursi që përdoret në media për këtë dukuri, ka nevojë të përmirësohet.

Edhe gazetarët duhet të jenë të kujdesshëm kur raportojnë për çështje që kanë të bëjnë me radikalizmin dhe ekstremizmin fetar, sepse është një fushë shumë e ndjeshme dhe kërkon qasje më adekuate.

Kështu u tha të martën në Mitrovicë, gjatë debatit me gazetarët e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), me ç’rast u diskutua ‘Roli i medias në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit në Kosovë’.

Skender Perteshi nga QKSS-ja, ka bërë të ditur se mediat janë pothuajse partneri kryesor në implementimin e kësaj strategjie dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Sipas tij, çdo mesazh që përdoret në favor të parandalimit të ekstremizmit, është shumë i rëndësishëm për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.

“Nuk duhet harruar se mediat qoftë të shkruara apo elektronike kanë një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e opinionit publik tek qytetarët e Kosovës, çdo mesazh që përdoret në favor të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm do të jetë shumë i rëndësishëm për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë… nga ana e komunitetit mysliman dhe qytetarëve kishte vërejtje rreth diskursit që përdoret në media dhe ka nevojë që ky diskurs me u përmirësu, po ashtu u lind nevoja e organizimit të trajnimit kryesisht për gazetarë të cilët e mbulojnë fushën e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, sepse është një fushë shumë e ndjeshme dhe kërkon qasje më adekuate dhe më specifike. Po ashtu u lind nevoja që përveç marrjes me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm në këtë rast me pasojat e qytetarëve që po shkojnë në luftë në Siri dhe Irak, si dhe me arsyet, në të njëjtën kohë të merremi më shumë edhe me plasimin e informacioneve tjera të cilat janë kundër argumente ndaj këtij fenomeni, psh nëse del një video e caktuar që bënë thirrje qytetarëve të Kosovës për luftën e Sirisë dhe Irakut, atëherë të kontaktohen imamë më profesionalë dhe më kredibilë që t’i kundër argumentojnë çështjet që kërkon kjo video”, ka thënë Perteshi.

Gazetarja Florije Ademi, tha se gazetarët duhet të jenë në të ardhmen më të kujdesshëm gjatë raportimit të tyre në lidhje me këto çështje, derisa disa media i quajti jokorrekte kur trajtojnë ekstremizmin.

Ajo theksoi se disa prej gazetarëve madje janë edhe tendenciozë kur bëhet fjalë për islamin.

“Siç u diskutua në debat, edhe mediat në trajtimin e tematikave që kanë të bëjnë me ekstremizmin, nuk janë aspak korrekte. Marrin raste shumë negative, por në anën tjetër mungo n etika gazetareske dhe profesionalizmi…çdo gjë që ndodhë, atëherë luftohet feja, ka ekstremizëm fetar islam gjë që nuk është e vërtetë, prandaj mendoj se në të ardhmen duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë aspekt… disa gazetarë, s’po them edhe mediume, janë edhe tendenciozë, ajo shihet qartë, si nëpër televizione, ashtu edhe nëpër mediat e shkruara”, sqaroi Ademi.

Edhe Behar Mustafa gazetar i BIRN-it, tha se mediat duhet të jenë shumë të vëmendshme kur raportojnë për ekstremizmin dhe radikalizmin fetar.

Sipas tij, këto tema janë jashtëzakonisht të ndjeshme, andaj edhe diskursi nga ana e disa gazetarëve duhet të jetë më profesional rreth këtyre temave.

Gjatë këtij debati kanë diskutuar edhe gazetarë tjerë, të cilët shprehën qëndrimet e tyre për mënyrën e raportimit dhe plasimit të lajmit, si dhe mënyrën e zhvillimit të diskursit publik.

Ndryshe, aktiviteti i sotëm është pjesë e proj ektit të mbështetur nga Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, “Rrëfimi i dy qyteteve Mitrovicë dhe Vushtrri - Radikalizmi dhe Kundërpërgjigja”, qëllimi i të cilit është vetëdijesimi qytetarë në parandalimin e përhapjes së ekstremizmit, si dhe kontributi në kundërpërgjigjen ndaj përhapjes së propagandës së grupeve ekstremiste në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat