Agim Veliu: Horrat nuk na prishin punë me vezë

Kosova

Agim Veliu: Horrat nuk na prishin punë me vezë

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 15:46

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka konsideruar se sot nuk ka qenë momenti të gjuhen vezë në drejtim të askujt, për shkak se sipas tij, ka qenë një ditë e suksesit të fermerëve në Podujevë dhe kultivimit të mjedrës.

Veliu ka thënë se gjuajtja e vezëve në drejtim të kryeministrit nuk ka kryer kurrfarë efekti. Ai i ka quajtur horra aktivistët e Vetëvendosjes, duke shtuar se meritojnë një medalje trimërie nga shefat e tyre për gjestin që kanë bërë.

“Ne kemi pasur sot një ditë të shënuar për fermerët dhe qytetarët sepse komuna jonë është bërë një qendër referente për mjedrën dhe ka qenë një shënim dinjitoz i kësaj dite edhe me prezencën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe miqtë tan USAID-i . Në këtë turmë kanë qëlluar disa harrna që, sigurisht e ka marr ndonjë detyrë prej shefave edhe u kujdes që kësaj dite t’ia zbeh manifestimin, por nuk ka arrit asgjë të bëj. Sigurisht ai nga shefat e vet e meriton me ia dhënë një medalje trimërie që ka marr guximin ta gjuaj me vezë kryeministrit, me tentu fakt, se nuk ka arrit ta gjuaj, ashtu si e ka paramenduar. Ata far horrash nuk e di kush janë, mirëpo ata se meritojnë tjetër emër. Këta nuk kanë kurrfarë tradite dhe nuk dinë të vlerësojnë asgjë edhe faktikisht i fyen të gjithë ata njerëz që sot kanë pasur një ditë të suksesit të punës së tyre”, ka thënë Veliu.

Veliu ka folur edhe për kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme, mirëpo sipas tij, koalicioni është duke funksionuar mirë dhe janë të interesuar ta qojnë deri në fund mandatin.

“Opozita mundet të kërkoj zgjedhje çdo herë, por duhet të respektohen rrugët demokratike jo dhunën, jo bllokimin. Në demokraci forca matet me votë. Te koalicioni nuk ka lëkundje dhe jemi të vendosur që këtë mandat ta qojmë deri në fund dhe sigurisht në fund të mandatit jemi të gatshëm të dalim prapë në zgjedhje”, ka thënë Veliu.

Veliu është shprehur se mjedra në qytetin e Podujevës kanë arritur 200 hektar dhe kanë një treg të sigurt.

“Sigurisht edhe miqtë tanë nuk u ndjen mirë dhe drejtori i USAID-it nuk u pajtua. Mjedra është përhap shumë në Podujevë kemi arritur 200 hektar dhe është një prodhim mjaft cilësor dhe i kërkuar në treg dhe i gjithë prodhimi është i garantuar me një çmim të mirë ku edhe u tha edhe nga fermerët që gjatë kësaj sezone janë punësuar rreth 2 mijë njerëz”, ka thënë Veliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat