Opozita do të vazhdojë bllokimin e Kuvendit, ende s’ka datë për protesta

Kosova

Opozita do të vazhdojë bllokimin e Kuvendit, ende s’ka datë për protesta

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 14:38

Blloku i partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, ende nuk e kanë vendosur se kur do të organizojnë protestë popullore për të kundërshtuar themelimin e “Zajednicës” dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se për të kundërshtuar themeleimin e Zajednicës dhe demarkacionin me Malin e Zi, do të vazhdojnë ta bëjë përmes bllokimit të Kuvendit dhe nënshkrimit të peticionit nga qytetarët e vendit.

Frashër Krasniqi, nga zyra për informim në Lëvizjen Vetëvendosje i ka thënë Indeksonline se opozita tashmë i ka format e veta për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë, duke mos përjashtuar edhe protesta, por se sipas Krasniqit, ende nuk është biseduar për ndonjë datë të mundshme.

“Nuk kemi caktuar datë për protesta, ne kemi thënë që jemi duke i kundërshtuar vendimet e Qeverisë në Kuvend përmes bllokimit, jemi duke i dhënë mundësi edhe qytetarëve për tu shprehur përmes peticionit. Është diskutuar edhe protestë, mirëpo nuk kemi folur për ndonjë datë”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, disa medie kanë raportuar të marten, se opozita do të thërrasë protestë popullore në fund të muajit tetor, por se lajmi është mohuar nga vet Lëvizja Vetëvendosje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat