Çollaku: Mos të krijohen pengesa në proceset integruese

Kosova

Çollaku: Mos të krijohen pengesa në proceset integruese

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 08:23

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku u ka bërë thirrje të gjithë akterëve politikë mos të krijojnë pengesa në procesin integrues të vendit.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka thënë se çdo pengesë për funksionimin e mirëfilltë dhe mbarëvajtjen e punës së Kuvendit do të reflektohet edhe në kryerjen e obligimeve ndaj proceseve integruese të Kosovës. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ministri Çollaku ka thënë se beson në maturinë dhe veprimin racional të të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë në mënyrë që të mos krijohen pengesa në procesin integrues të vendit.

“Duke qenë se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është një marrëveshje ndërkombëtare që vendos marrëdhënie kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së, si e tillë duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Çdo pengesë për funksionimin e mirëfilltë dhe mbarëvajtjen e punës së Kuvendit do të reflektohet edhe në kryerjen e obligimeve tona ligjore në raport me këtë marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë Çollaku, duke shtruar se në Kosovë është krijuar një kulturë politike e cila ka mundësuar marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin me një konsensus të plotë politik dhe qytetar. Prandaj, sipas tij, duhen evituar dhunën dhe bojkotin si mjete të arritjes së qëllimeve politike. “Megjithatë, jam i prirur të besoj në maturinë dhe veprimin racional të të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë në mënyrë që të mos krijohen pengesa në procesin integrues të vendit”, është shprehur ai.

Çollaku ka shtuar se roli i opozitës mbetet i pazëvendësueshëm në jetën politike dhe institucionale në kuadër të normave demokratike të përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Duke dhënë vlerësimin e tij për veprimet e opozitës, Çollaku ka thënë se është krejt normale për opozitën në çdo vend demokratik që të jetë kritike ndaj Qeverisë mirëpo, sipas tij, opozita duhet të ofrojë alternativa, gjithnjë duke pasur si qëllim final avokimin dhe vendosjen e politikave publike me interes për qytetarin e vendit.

“Por, kjo assesi nuk nënkupton tejkalim të përgjegjësive dhe normave demokratike”, ka deklaruar ministri Çollaku.

Ai ka bërë me dije se Kosova i ka kryer të gjitha obligimet e kërkuara sa i përket nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Kosova i ka përmbushur mbi 95 % të kritereve për liberalizimin e vizave. Kështu është konfirmuar nga ekspertët e shteteve anëtare dhe Komisionit Evropian, të cilët ishin në mision faktmbledhës gjatë muajit korrik”, ka theksuar Çollaku, duke shtuar se Ministria për Integrim Evropian, së bashku me institucionet e tjera përgjegjëse, ka përgatitur planin për adresimin e tetë rekomandimeve të cilat do të adresohen deri në fund të muajit nëntor, e që disa prej tyre janë në zbatim e sipër.

Sipas Çollakut, në vitin 2016 qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në shtetet e Zonës Shengen.

“I gjithë ky angazhim dhe përkushtim ka dhënë rezultatet e veta dhe na mundëson të themi me bindje, se në vitin 2016 qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në shtetet e Zonës Shengen”, ka thënë ai.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka folur edhe për sfidat që ka Kosova në proceset integruese.

“Sikurse çdo vend tjetër që synon të anëtarësohet në BE, edhe Kosova ballafaqohet me sfida të cilat duhet të adresohen përgjatë këtij procesi. Padyshim se reforma në administratë publike dhe zhvillimi i kapaciteteve administrative, forcimi i sundimit të ligjit, tregu i brendshëm dhe konkurueshmëria, zhvillimi ekonomik, mjedisi etj. janë disa nga sektorët në të cilët duhet të përmirësohemi”, ka deklaruar ministri Çollaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat