Vitin e ardhshëm pa viza në Evropë

Kosova

Vitin e ardhshëm pa viza në Evropë

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 07:23

Fisnik Rexhepi, këshilltar politik në Ministrinë e Drejtësisë, në emisionin “Ora e fundit” të Klan Kosova, tha se Qeveria e Kosovës po punon shumë që qytetarët e saj të mund të udhëtojnë të lirë në zonën Schengen.

“Heqja e vizave do të ndodhë brenda këtij viti. Do të ishim të dekurajuar po të mos ndodhte dhe do të ishte befasi për ne. Duke marrë parasysh që një gjë e tillë përveç aprovimit të Komisionit Europian e kërkon edhe miratimin e parlamentit dhe këshillit. Ajo që është e rëndësishme është që ne ta kryejmë përgjegjësinë tonë deri në fund të këtij viti”, tha Rexhepi.

“E deri në vitin e ardhshëm me të gjitha procedurat e nevojshme, kosovarët do të mund të shkojnë në Bashkim Europian pa viza”, është shprehur Rexhepi.
Ai po ashtu ka deklaruar se Kosova ka dëshmuar përkushtim dhe seriozitet të madh në plotësimin e kushteve që ta fitojë të drejtën e të lëvizurit lirshëm nëpër BE.

“Rekomandimet nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave jemi siguruar që t’i adresojmë dhe kemi marrë vendim për zbatimin e këtyre rekomandimeve gjatë dy muajve të ardhshëm”, tha ai.

“Gjatë gjithë dialogut për liberalizimin e vizave kemi dëshmuar se jemi të përkushtuar në këtë proces. Ne e kemi dëshmuar se Kosova e meriton që të udhëtojë pa viza në zonën Schengen”.

Mirëpo ai nuk ka dhënë datë saktë sa i përket deklarimit zyrtar për periudhën se kur ekzakt kosovarët mund të shkojnë në BE, pa pasur nevojë t’iu drejtohen ambasadave për një vizë.

“Dialogu është proces i dyanshëm jo i njëanshëm, ne e kemi pjesën tonë të përgjegjësisë dhe BE e ka pjesën e vet gjithashtu. Ne presim nga Komisioni Europian që të njihet puna progresive e Kosovës.

“Brenda vetë Bashkimit Europian ekziston një disponim pozitiv për të ecur përpara sa i përket liberalizimi të vizave. Kosova i ka plotësuar 95% të kritereve për të lëvizur lirshëm në BE”.

Sipas Rexhepit vendimi për t’ia lejuar Kosovës lëvizjen e lirë, nga ana e BE-së mund të vonohet pak për shkak të agjendës dinamike në këtë organizatë, sidomos për shkak të një situate të re me të cilën po përballet Europa.

“BE po ballafaqohet me një situatë të re, me krizën e refugjatëve. Agjenda është shumë dinamike por edhe Kosova do ta zërë vendin e saj të merituar në këtë agjendë”, tha Rexhepi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat