Pas zvarritjeve të konsiderueshme ka nisur të hënën asfaltimi i rrugës "Rexhep Bislimi" në Ferizaj, një projekt ky dyvjeçar por që për shkak të disa punëve shtesë është zvarritur duke i shkaktuar probleme edhe banorëve të kësaj ane por edhe bizneseve të shumta që afarojnë në këtë rrugë.
Kjo rrugë, e cila njihet ndryshe edhe si rruga e Gjilanit, llogaritet njëra nga arteriet kryesore e qytetit të Ferizajt, pasi lidhë qytetin me magjistralen Prishtinë-Shkup dhe Ferizaj-Gjilan.
“Është fjala për një rrugë të Ferizajt, si një arterie kryesore me një gjatësi rreth 1.5 kilometra, e cila po shtrohet me katër korsi me tërë infrastrukturën përcjellëse, siç është ajo nëntokësore, mbitokësore përfshirë këtu dhe ndriçimin publik”, ka thënë kryetari i Ferizajt,Muharrem Svarqa.
Ndryshe, vendosja e asfaltit në këtë rrugë vjen vetëm disa ditë pas shprehjes së reagimit nga ana e nënkryetarit të Ferizajt, Xhavit Zariqi se në rrugën "Rexhep Bislimi" ka zvarritje të punimeve dhe se kanë filluar të kryhen punë shtesë.
Rregullimi i kësaj rruge ka filluar dy vjet më parë, pasi ka qenë projekt dyvjeçar dhe kur pritej që të kryhej pjesa e fundit, kjo është shtyrà « për një kohë deri sa shtyllat e rrymës elektrike të larguan nga rruga, të cilat më zgjerimin e rrugës bllokonin gati një korsi.
“Kemi pasur pengesa të natyrave të ndryshme. Jo për fajin e komunës është shtyrë ky proces. Ka qenë një marrëdhënie kontraktuale me KEDS-in për dislokimin e shtyllave elektrike, të cilat kanë qenë të vendosura në sipërfaqe ku është dashur të shtrohej rruga. Ky proces ka zgjatur shumë por tani shtyllat janë dislokuar. Por edhe vlerësimi i mungesës së një gypi të ujërave të zeza FI-400 në një gjatësi prej 300 metrash ka bërë që të shtyhet asfaltimi i shtresës së dytë. Fakti që shtresa e parë ka qenë e asfaltuar do të ishte shumë rrezik që të hynim në dimrin vijues pa e përfunduar edhe shtresën e dytë. Por, tani sipas ekspertëve janë të gjitha kushtet që kjo pjesë e rrugës të rregullohet sipas standardeve ashtu siç ka qenë e projektuar”, ka thënë Svarqa.
Edhe banorët e kà «saj pjesë të qytetit e kanë mirëpritur asfaltimin e kësaj rruge. Ata thanë se kjo rrugë është shumë e rëndësishme për ta.
"Ma shumë se dy vite po përballemi me probleme në këtë rrugë kur dihet se në këtë pjesë afarojnë biznese të ndryshme të cilat edhe varen nga qarkullimi në këtë rrugë ngase kryesisht janë depo që furnizojnë me mallra të ndryshme pothuaj tërë Kosovën", tha Imri Asllani, banor i kësaj zone.
Ndër projektet dyvjeçare të komunës të cilat kanë qenë në fokus edhe të shoqërisë civile ka qenë edhe kjo rrugë. Organizata joqeveritare INPO, disa herë i ka kërkuar kryetarit të Ferizajt , që në afat sa më të shpejtë t'i përmbyll projektet dyvjeçare të cilat u kanë sjellë jo pak probleme qytetarëve.
Mësohet se kjo rrugë buxhetit të komunës i ka kushtuar 1.8 milion euro, ndërsa punimet do të kryhet para dimrit, me ç'rast pritet të bëhet edhe heqja e 30 varrezave, ndërsa më pas do të hedhet edhe shtresa e tretë e asfaltit.