Rrëfimi i shqiptarit në polici: Më paguan 60 mijë € për të vrarë Mimoza Kusari Lilën

Kosova

Rrëfimi i shqiptarit në polici: Më paguan 60 mijë € për të vrarë Mimoza Kusari Lilën

Më: 2 tetor 2015 Në ora: 22:04

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, u paraqit në gusht të këtij viti për herë të parë me mbrojtje të afërt të Policisë së Kosovës. Kjo pas rrëfimit të një shtetasi të Shqipërisë para policisë shqiptare. Dëshmitari ka rrëfyer se është paguar në shumën prej 60 mijë eurove për të ekzekutuar kryetaren e Komunës së Gjakovës.

RTV Dukagjini thotë se ka parë raportin konfidencial të Policisë së Kosovës lidhur me rastin që së fundi e ka pranuar publikisht edhe vetë e para e Gjakovës. Dëshmitari ka rrëfyer se ishte nisur për në Gjakovë që të kryejë punën për të cilën e kishin paguar. Për 3 ditë ai ka qëndruar në Gjakovë, në Hotel Jakova, duke i përcjellë lëvizjet e gruas të cilën ia kishin treguar në foto.

Por, sipas rrëfimit të tij, ai vetëm gjatë qëndrimit në Gjakovë e kishte kuptuar se bëhet fjalë për një person që është kryetare e një qyteti dhe se po implikohej në një vrasje politike. Duke e pasur këtë frikë, ishte tërhequr dhe kishte vendosur që të rrëfehej para policisë.

Në dëshminë e tij ai ka përmendur edhe emrat e atyre që e kishin paguar. Ata janë nga veriu i Shqipërisë, por Policia e Kosovës e di edhe se kush kanë qenë qytetarët e Kosovës të interesuar për ta bërë këtë akt.

Sipas të njëjtave burime, Policia e ia dorëzuar të gjitha dëshmitë dhe intervistat tek prokuroria dhe pritet që tani Prokuroria të vazhdojë me procedurat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat