As edhe pas një viti nuk do të ketë sigurime shëndetësore

Kosova

As edhe pas një viti nuk do të ketë sigurime shëndetësore

Më: 2 tetor 2015 Në ora: 18:28

Edhe nëse punojmë 24 orë pa ndërprerje, nuk do të mund të startojmë me sigurimet shëndetësore deri në fundin e vitit 2016.
Kështu ka thënë ministri i shëndetësisë Imet Rrahmani, sipas të cilit infrastruktura nuk është e gatshme për të startuar në asnjë mënyrë me mbledhjen e premiumeve për sigurimet shëndetësore.

Rrahmani ka thënë se më mirë është të zvarritet krijimi i fondit për premiumet shëndetësore se sa të krijohet një fond që do të falimentoj.

“Ne po punojmë që fondi të startoj me premium në fund të vitit 2016 apo në fillim të vitit 2017”, ka thënë Rrahmani, sipas të cilit, është krijuar një perceptim se kjo punë mund të bëhet lehtë.

Sipas tij, duhet fillimisht të krijohen një varg hallkash që janë të domosdoshme për funksionalizimin e fondit të premiumeve, e që nuk janë aspak të gatshme.

“Ne ende nuk kemi miratuar udhëzimin administrativ për mbledhjen e premiumeve”, ka thënë Rrahmani, sipas të cilit, këtyre ditëve pritet miratimi i këtij udhëzimi administrativ.

Por, ai ka shtuar se edhe ky udhëzim nuk është i mjaftueshëm për t’u bërë sigurimet shëndetësore.

Rrahmani ka bërë të ditur se nevojitet që të bëhet çmimorja e shërbimeve e tek pastaj të themelohet një këshill përgatitor për sigurimet shëndetësore.

“Tek ky këshill do të tregoj se janë pjekur kushtet për sigurimet shëndetësore”, ka thënë Rrahmani.

Këto komente, i pari i shëndetësisë kosovare i ka bërë gjatë një bashkëbisedimi me punonjës shëndetësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, ku është inauguruar aneksi i ri i Emergjencës në QKMF të kësaj komune.

Kryetari i komunës Burim Berisha, ka kanë kërkuar nga stafi mjekësor që të vazhdojnë me angazhimin e tyre në ofrimin e shërbimeve cilësore për pacientë.

Ndryshe, aneksi i Emergjencës në QKMF në Fushë Kosovë ka kushtuar 120 mijë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat