Lumezi kërkon që rastet e korrupsionit të nivelit të lartë të trajtohen me prioritet

Kosova

Lumezi kërkon që rastet e korrupsionit të nivelit të lartë të trajtohen me prioritet

Më: 2 tetor 2015 Në ora: 17:19

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina, kanë vizituar sot Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ku janë pritur nga prokurorët dhe u.d. kryeprokurori i kësaj prokurorie, Reshat Millaku.
Siç bëhet e ditur në një njoftim, në këtë takim kryeprokurori Lumezi dëgjoi për së afërmi, problemet, vështirësitë dhe sfidat me të cilët ballafaqohen prokurorët nga prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

“Gjatë këtij takimi ndër të tjera u bisedua për hetimin dhe ndjekjen e të gjitha veprave penale që janë në kompetencë të veçantë dhe plotësuese të PSRK-së. Me theks të veçantë u bisedua për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë, terrorizmit dhe krimet e luftës”, thuhet në njoftim.

Me qëllim të ushtrimit të drejtë të funksioneve dhe mandatit të prokurorëve të kësaj prokurorie, shtohet më tej, kryeprokurori Lumezi iu ofroi atyre përkrahjen e tij, duke kërkuar nga të gjithë që të përkushtohen sa më shumë që t’i përmbushin me profesionalizëm obligimet kushtetuese dhe ligjore që kanë.

“Kryeprokurori Lumezi kërkoi nga të gjithë punë më efikase dhe që rastet e korrupsionit të nivelit të lartë t’i trajtojnë me prioritet”, përfundohet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat