Kosova, “solidarizohet” me sirianët: “Unë isha refugjat”!

Kosova

Kosova, “solidarizohet” me sirianët: “Unë isha refugjat”!

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 17:57

Kërkesa e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që Qeveria të shikojë mundësinë e pranimit të rreth tremijë refugjatëve sirianë, edhe pse nuk ka marrë ende një përgjigje pozitive ka sensibilizuar në masë qytetarët.
Pas propozimit kryetares së shtetit, në rrjetet sociale kanë vërshuar komentet për mikpritje të refugjatëve, duke sjellë në kujtesë se edhe shqiptarët e Kosovës dikur kanë qenë po aq nevojtarë sa sirianët sot.

“Unë isha refugjat”, është shprehja më e shkruar këto ditë nga përdoruesit kosovarë në Facebook e Twitter.

I vetmi zyrtar i lartë i shtetit që është shprehur publikisht lidhur me këtë çështje, ka qenë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili një ditë më parë bëri thirrje për solidaritet të shtetit të Kosovës me refugjatët.

Në Qeverinë e Kosovës ende nuk është marrë ndonjë vendim, nëse vendi ka kapacitet të mbajë refugjatë, por një grup punues ndërinstitucional që është formuar mësohet se kryen takime të përjavshme për të vlerësuar gjendjen përreth kufijve të Kosovës.

Vetëm në ditët e fundit në Luginën e Preshevës, në kufirin lindor të Serbisë me Kosovën, kanë mbërritur mbi gjashtëmijë refugjatë sirianë. Deri tani në Kosovë nuk kanë ardhur refugjatë, por besohet se disa grupe mund të jenë trafikuar nga persona të cilët i shfrytëzojnë këto situata për të fituar para.

TCH ka mësuar nga zyrtarë të Komunës së Gjilanit se në fshatrat kufitare me Serbinë, ditët e fundit trafikantët kanë kaluar dhjetëra refugjatë në pjesën e Kosovës, të cilët janë strehuar nga familjet shqiptare, por që menjëherë pas një dite ata kanë vazhduar sërish rrugën për në shtetet evropiane. /Top Channel/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat