Familjarët e dëshmorëve të rënë para luftës së UÇK-së kërkojnë njohjen e statusit të të rënëve

Kosova

Familjarët e dëshmorëve të rënë para luftës së UÇK-së kërkojnë njohjen e statusit të të rënëve

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 17:00

​Familjarët e dëshmorëve të rënë para luftës së UÇK-së kërkojnë njohjen e statusit të të rënëve

Në një tubim që u organizua sot në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ku morën pjesë edhe shumë pjesëtarë të familjeve të heronjve, u shpreh pakënaqësia lidhur me faktin që edhe pas 15 viteve të çlirimit të Kosovës këtyre nuk u njihet statusi të cilin e meritojnë.

Për këtë çështje, ata ditë më parë i kanë dërguar letër kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës, me anë të së cilës i kanë kërkuar që ta implementojnë Ligjin për Dëshmorët.

Një gjë të tillë e kërkuan edhe në këtë tubim, me ç’rast kryetari i këtij komisioni, Naim Zhitia, u bëri thirrje të gjitha Institucioneve të vendit që të zbatohet sa më shpejt ky ligj.

Zhitia: Kërkojmë që të zbatohet ligji për dëshmorët

|Nga ky tubim e nga kjo foltore, në emër të komisionit qendror dhe të nënkomisioneve të qyteteve të Kosovës, të familjeve dhe të heronjve e dëshmorëve të kombit, kërkojmë nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, nga kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa që ligjin, gjegjësisht nenin 8 paragrafin 2 të cilën e kanë votuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, kërkojmë të zbatohet dhe të bëhet i plotfuqishëm”, tha Zhitia

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i përkrahu kërkesat e këtyre familjarëve duke thënë se këta dëshmorë janë gurthemeltarët e Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Selimi: Nuk do të kishte luftë të UCK-së po të mos ishin dëshmorët e mëhershëm

“Sot duke kujtuar të gjithë ata që luftuan brez pas brezi, normalisht duke kujtuar edhe sakrificën e popullit shqiptar, na bie në mend dhe bindemi për ditë se sikurse vetëm në një moment të caktuar të mos luftonin ne do të zhdukeshim. Pra mbi luftën e gjithë brezave dhe mbi luftën e atyre që e dhanë jetën u ndërtua dhe u themelua Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nuk do të kishte UÇK dhe luftë të saj po të mos kishte luftë të Tahir Mehës, luftë të Jusuf Gërvallës, luftë e Afrim Zhitisë dhe luftë të të gjithë atyre që në fakt vunë themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Selimi.

E pranishme në këtë tubim ishte edhe vajza e Jusuf Gërvallës, Donika Gërvalla, e cila tha se qeveritë kohëve të fundit po aplikojnë një përçarje të shtresave të ndryshme shoqërore më shumë se sa një bashkim.

Gervalla: Kërkoj nga Qeveria që të mos bëj politika të ndarjes në mes nesh

“ Unë jam mirënjohëse që nga një ambient i tillë t’i dërgoj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të mos vazhdojë një politikë të ndarj es në mes nesh. Unë e di mirë çka do të thotë nëse policia në vitin 1979, vjen te dera e apartamentit dëshiron të ta arrestoj babin, unë e di mirë se si ka qenë reagimi i shoqërisë në atë kohë, unë e di që komshinjtë nuk flisnin më me gojë nga frika që përndjekja për një fjalë goje mund të shtrihej edhe tek ata. Ne nuk po kërkojmë shumë, po kërkojmë një trajtim të barabartë të prindërve tanë, të vëllezërve dhe motrave me të gjithë ata që luftuan për çlirimin e Kosovës, për çlirimin e saj”, tha Gërvalla.

Në këtë tubim pati edhe shumë pika të ndryshme argëtuese, si recitim, këngë dhe muzikë me çifteli.

Nuk k është hera e parë që komisioni për familjet e dëshmorëve të rënë në periudha të ndryshme është duke bërë një thirrje të tillë. Por, edhe pse ata herë pas here po bëjnë aktivitete të ndryshme për të arritur qëllimin e tyre, ende nuk është ndërmarrë asnjë hap në k ëtë drejtim nga institucionet e vendi, madje ata asnjëherë nuk u janë përgjigjur kërkesave të Komisionit të Familjarëve të Dëshmorëve për një takim me ta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat