Qeveri me TVSH-në në barna e rëndoj jetën e qytetarëve

Kosova

Qeveri me TVSH-në në barna e rëndoj jetën e qytetarëve

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 13:28

Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa ka rënduar në masë të madhe shtresën e varfër të vendit. Përshkallëzimi i TVSH-së i proklamuar se do ta zbus gjendjen sociale, rezulton me efekt të kundërt. Kjo pasi që qeveria ka ngarkuar me 8 përqind TVSH edhe për barnat të cilat mund të konsiderohen si produkte me rritje 18 përqind dhe taksë doganore 10 përqind.

Përqindja doganore është premtuar se do të hiqet nga vetë ministri i financave Avdullah Hoti, por deri tash nuk ka ndonjë reflektim. Pasi zyrtarët e Ministrisë s financave dhe ata të Administratës Tatimore nuk kanë kthyer përgjigje për kohën kur do të hiqet taksa në fjalë.

Agim Abdullahu, menaxher në një barnatore në kryeqytet, tha se vendosja e TVSH-së prej 8 për qind ka dëmtuar rëndë pacientët.

“Ne na dëmton por më shumë i dëmtojnë pacientët, qytetarët, sepse kemi barna që nuk kanë pasur hiq TVSH sepse tani është bërë një ngritje prej 8%. Tek siofori i cili është ngritur prej 30 cent apo daleroni me shkuar tek më e thjeshta të cilën çdo qytetarë e përdor gati është ngritur për 10 cent, tash llogarit ku janë të tjerat. ..Po vetëm kanë filluar a nkesat dhe është normale. Sepse ke barna që i merr gjatë gjithë jetës tashmë pensionistët gjithmonë ankohen “, tha Abdullahu.

Po ashtu, edhe Majlinda Nushi, menaxhere e një barnatore tha se në vend se të lirohet çmimi i barnave, Qeveria ka vendosur për këtë rritje prej 8 për qind.

“Tek 8% kur është fjala për barnat mendoj se direkt është në dëm të qytetarëve. ... Si profesioniste mendoj se në kuadër të vlerave të ulëta për elementet esenciale do të ishte mirë që të bëhet edhe një herë një studim më i hollësishëm rreth çështjes së barnave. Sepse ka njerëz me sëmundje kronike të cilët deri më sot kanë paguar vlerë të caktuar dhe sot pikërisht për këtë 8 për qind edhe ne do të kemi problem me konsumatorët lidhur me faktin se pse duhet një produkt të jetë më i shtrenjtë në vlerë”, tha Nushi.

Qytetarët po ashtu janë të revoltuar me gjendjen e shëndetësisë, e posaçërisht tani që duhet t’i blejnë barnat me rritje të çmimeve. Ismajl Guri, qytetar i cili ka gruan të shtrirë në QKUK, iu është dashur t’i blejë barnat e që për atë janë shumë të shtrenjta.

“Kjo është e dëmshme, se në kohën time më parë i kemi marrë barnat pa para, mjekësia pa para,banja pa para e për gjithçka tjetër. Tani e kam gruan në spital, është e shtrirë edhe asaj i duhen të gjitha, qetash dola me ia ble edhe me ia dërgua të gjitha, mjekët mirë interesohen të punojnë, mirëpo kushtet jo nuk janë mirë. Çdo pacient që vjen duhet t’i blejë vetë, ka njerëz edhe që nuk kanë, e kemi një afër aty për çdo natë po duhet me ia blerë barnat”, tha Guri.

Po a shtu, edhe Drita Uka, qytetare tha se tash për çdo lloj barëra duhet të paguajmë më shtrenjtët.

“Besoj që ne po dëmtohemi shumë, sidomos ata pacient të cilët janë të sëmurë dhe nuk kanë mundësi me i përballuar këto pagesa, për arsye se nëse më herët kemi paguar 20 cent ne po detyrohemi tashmë me paguar 10 cent më shumë. Por prapë kjo nuk do të ishte asgjë në çoftë se çmimet e barnave do të ishin pak më të ulëta por duke e marrë parasysh gjendjen ekonomike në Kosovë”, tha Uka.

Ndërsa, përfaqësuesi i Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, Agim Qaka, tha për KosovaPress se në vazhdimësi kanë bërë përpjekje për t’i zbritur çmimet e barnave dhe se për vendimet e fundit nuk i ka pyetur fare qeveria. Ai madje nuk ka njohuri që qeveria, përkatësisht ministria e financave do të bëjë zbritjen e taksës doganore për barna prej 10 për qind.

“Në këtë drejtim vazhdimisht kemi bërë përpjekje që çmimi ose dogana në barna të hiqet e cila ka qenë deri tash 10 për qind. Mirëpo në këtë rast kemi një ngarkesë të çmimit të barnave nga 10 për qindëshi i doganës, plus edhe një 8 për qind në TVSH. Kështu që situata është e rënduar edhe më tepër. Ne e kundërshtojmë vendimin të qeverisë sepse normalisht kjo rëndon pozitën e qytetarëve dhe pacientëve tanë por gjithsesi shkakton edhe telashe të brendshme në sektorin farmaceutik. ..Publikisht e kundërshtoj një gjë të tillë sepse ne nuk kemi qenë pjesë si shoqatë farmaceutike e Kosovës, nuk kemi qenë pjesë e diskutimeve rreth çështjes së ngritjes apo vendosjes së TVSH-së në barna”, tha Qaka.

Vendimi i qeverisë për ngritjen e TVSH-së prej 16 në 18 për qind, kapë pjesën më të madhe të produkteve kundrejt atyre që janë zbrit. Nëse krahasohen me zbritjen në 8 për qind hynë vetëm 13 produkte, ndërsa ato që janë rritur janë në 18 janë mbi 100 mijë produkte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat