Informim mbi mundësitë në Gjermani dhe shanset në Kosovë

Kosova

Informim mbi mundësitë në Gjermani dhe shanset në Kosovë

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 19:42

DW: Zonja Theiss, më shpjego për aktivitetin e zyrës suaj, jeni një zyrë e re e cila u hap vetëm pas valës së madhe të migrimit ilegal nga Kosova?

Nina Theiss: Qendra Gjermane për Informim, Migrim, Arsim dhe Karrierë (DIMAK), punon në dy drejtime. E para është se ne u shpjegojmë të rinjve mundësitë që i kanë për migracion në Gjermani, dhe e dyta mundësitë që ata i kanë për të qëndruar dhe punuar në Kosovë. Sa i përket opsionit të parë, zyra jonë ofron informacione për të rinj se cilat janë mundësitë e migrimit në Gjermani, lidhur me punën, studimin dhe me rëndësi për ne është që t'u atyre tregojmë mënyrat, drejtimet, parakushtet, për të studiuar dhe punuar në Gjermani. Po ashtu detyra jonë është që t'i informojmë vizitorët e zyrës lidhur me aktorët e tjerë gjerman që janë në Kosovë me punën e tyre.

Sa i përket çështjes së dytë, për ata që vijnë në zyrën tonë për t'u informuar për të qendruar në Kosovë, kemi një plan që së bashku me Ministrinë kosovare të Punës dhe Mirëqenies Sociale, në shtator të fillojmë një fushatë nëpër komuna dhe po ashtu në këtë kohë të fillojmë edhe me informacionet shtesë për institucionet kosovare mbi mundësinë e gjetjes së punës në Kosovë. Lidhur me këtë do të organizojmë takime pune, punëtori dhe trajnime të ndryshme në mënyrë që të informohen të rinjtë se si aplikohet për punë. Po ashtu kemi hapur një faqe në faccebook që është mjaft aktive, ku vazhdimisht postojmë informacion për të gjitha aktivitetet tona.

Ndonëse akoma jeni në zyrë e re, sa mendoni se ka pasur efekt puna juaj, informatat tuaja në ndaljen e migrimit të kosovarëve?

Zyra jonë është relativisht e re, ka tre muaj që është hapur dhe mund të them se që nga atëherë ka pasur një numër të madh të vizitorëve. Tash për tash kryesisht vizitorët janë nga Prishtina, por siç e thashë më herët tani në shtator do të fillojmë punën edhe nëpër komuna që t'u ofrojmë njerëzve informacione relevante qoftë për mundësinë e studimit, punës apo jetesës në Gjermani, por edhe për mundësitë që ofron Kosova.

Mund të përmendi ndonjë shifër, se sa persona kanë kërkuar ndihmën e zyrës suaj dhe cilat janë kërkesat specifike të tyre?

Në muajin e parë të punës, kemi pasur 100 vizitorë, ndërsa, tash pas pushimeve kemi të paktën 10 persona në ditë që kërkojnë informacione të ndryshme që ne ua ofrojmë atyre. Parakushtet janë ato që i ka ofruar shteti gjerman, për të qendruar jetuar apo studiuar në Gjermani dhe ne mund t'ua japim vizitorëve tonë ato parakushte që tashmë janë të njohura, sepse shumë nga ata që vijnë te ne, këto kushte nuk i njohin dhe ne përpiqemi që t'u ndihmojmë se cilat janë rrugët që duhet ndjekur, çfarë procesesh duhet kaluar dhe përfunduar në mënyrë që dikush të fillojë punën, shkollimin profesional apo studimin në Gjermani. Eshtë me rëndësi të theksoj, ne nuk jemi ndërmjetësues të punësimit, por ne japim informacion për rrugët që çojnë deri atje dhe shpeshherë ka probleme me formularët për viza, oraret e pritjes për viza, shumë të rinj nuk dinë ku duhet bërë nostrifikimi i dëftesave apo diplomave të tyre dhe ne përpiqemi t'u japin një zgjidhje, këtyre pyetjeve, shembull që kërkesa e tyre për një vizë të bëhet shumë më herët, sepse ka probleme me kohëzgjatjen, formularët të plotësohen si duhet në mënyrë që trajtimi i lëndës së tyre të bëhet sa më shpejtë.

Zonja Theiss, keni pasur ndonjë rrëfim nga vizitorët e zyrës suaj apo kërkesë për migrim në Gjermani, duke e arsyetuar kërkesën me përndjekjeje politike apo racore në Kosovë?

Nuk kemi pasur deri tash ndonjë përvojë me personat që mund të jenë përndjekur politikisht apo arsye të ngjashme, por ka pasur persona që janë deklaruar se kanë nevojë për punë dhe janë të interesuar që të gjejnë punë në Gjermani dhe janë interesuar për mundësitë që ofrohen dhe çfarë mund të përfitojnë dhe çfarë mund t'u ndihmojë zyra jonë.

Çfarë grupmoshe janë personat që k7rkojnë informacion në zyrën tuaj?

Pjesa më e madhe e personave që kanë kërkuar këshilla nga zyra jonë është nga 18 deri në 30 vjeç.

Zonja Theiss, autoritetet gjermane disa herë janë deklaruar se në Gjermani ka nevojë për profesione të ndryshme ,të cilat madje edhe i janë listuar, se në këto profesione mund të punojnë edhe emigrantë, por që kjo duhet të realizohet legalisht. A do të thotë kjo që Gjermania i seleksionon emigrantët?

Ne punojmë në emër të qeverisë gjermane, e cila na ka ngarkuar me këtë projekt, dhe ne vetëm mund të japim informata për të rinj që mund të punojnë në Kosovë, apo edhe që mund të shkollohen, apo studiojnë në Gjermani. Unë e thashë edhe më sipër, se ne nuk ofrojmë vende pune dhe as nuk bëjmë seleksionimin, atë e bëjnë firmat gjermane. Ndaj ne të rinjve kosovarë vetëm u tregojmë rrugën se si të arrihet deri atje, cilat janë parakushtet dhe cilat janë procedurat që patjetër duhet të ndiqen dhe po ashtu u japin informata se për cilat profesione ka nevojë për punonjës në Gjermani, në mënyrë që shanset e tyre për punësim të jenë sa më reale, sa më të mëdha.

Nga bisedat dhe kërkesat që keni pasur deri tash me të rinj kosovarë që duan të migrojnë në Gjermani, sa keni arritur ju në një konkludim, sa i kanë të justifikueshme kërkesat, thjesht a kanë arritur t'iu bindin juve se ata kanë të drejtë të jetojnë në Gjermani?

Është legjitime që personat të shprehin preukopimet, dëshirën e tyre për të studiuar, jetuar apo punuar në Gjermani, por ne vetëm mund t'u ndihmojmë atyre që t'i arrijnë këto qëllime, por në mënyrë legjitime padyshim. Nuk varet nga ne nëse ata do të gjejnë punë në Gjermani, kjo varet nga punëdhënësi, varet nga profili, varet nga aftësia e një personi për të konkurruar dhe për t'u paraqitur sa më mirë para një punëdhënësi. E ritheksoj, ajo çfarë mund të bëjmë ne është t'i informojmë njerëzit mbi parakushtet për të marrë një vizë dhe cilat janë parakushtet për qendrim në Gjermani. Këto parakushte jepen nga shteti gjerman, janë të njohura dhe nuk mund të përkufizohen këtu në Prishtinë. Unë i kuptoj kërkesat e tyre dhe ne jemi këtu që ata t'i realizojnë qëllimet e tyre në mënyrë legjitime, dhe absolutisht jo ilegale. Ne jemi këtu që të japim informacione të sakta të ndershme, jo të manipuluara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat