Ndryshimi i Statutit të komunës nuk e merr përkrahjen e kuvendarëve

Kosova

Ndryshimi i Statutit të komunës nuk e merr përkrahjen e kuvendarëve

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 16:15

Kuvendi komunal i Ferizajt të premten nuk e ka votuar propozimin e ekzekutivit të komunës për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të komunës, të cilat do t'i hapnin rrugë themelimit të Drejtorisë për Punë të Inspekcionit. Kuvendi gjithashtu në kuadër të kësaj pike nuk i ka dhënë dritën jeshile edhe propozimit të këshilltarit të NQF-së, Bashkim Fazliu-Migjeni, për themelimin e Drejtorisë komunale për Rini. Të dyja këto propozime nuk kanë arritur që të marrin 28 votat e nevojshme të këshilltarëve apo 2/3 e votave të kuvendit.

Fillimisht, kreu i Ferizajt, Muharem Svarqa, në arsyetimin e tij për ndryshimin e Statutit të komunës ka vënë theksin në atë se formimi i Drejtorisë së Inspekcionit do ta rriste më shumë funksionalizimin e qeverisjes komunale.

"E kam konsideruar se ka qenë një konflikt i drejtpërdrejt i interesit që inspektori i ndërtimtarisë të jetë vartës i drejtorit të urbanizimit, inspektori i tregut të jetë vartës i drejtorit të financave, ai sanitar vartës i drejtorit të shëndetësisë e kështu me radhë. Formimi i Drejtorisë së Inspekcionit do ta eleminonte këtë konflikt dhe do të krijonte parakushte për një kontrollë më të mirë dhe për një menaxhim më efikas", ka thënë Svarqa.

Gjatë debatit të zhvilluar përfaqësuesit e opozitës kanë qenë pro dhe kundër këtij propozim të kryetarit, Savrqa. Ibrahim Hyseni nga grupi tre plus ka thënë se ekzekutivi duhet ta ketë drejtorinë e inspekcionit, e cila në mënyrë të pavarur do të ushtronte një kontroll më të madhë në të gjithë sektorët, ndërsa Gazmend Bytyqi nga PDK-ja, ka vlerësuar se propozimit të kryetari i mungon një përshkrim i detajuar i arsyshmërisë së këtyre dy ndryshimeve.

Kuvendi në kuadërtë kësaj pike nuk e ka përkrahur edhe propozimin e Bashkim Fazliu-Migjeni, që në kuadër të këtyre ndryshimeve të themelohet drejtoria komunale për rini.Edhepse subjekti i tij është pjesë e koalicionit qeverisës, propozimin e tij nuk e kanë përkrahur edhe përfaqësuesit e pozitës, duke dalur kundër këtij propozimin me arsyetimin se në kuadër të komunës ekziston drejtoria për rini, sport dhe kulturë dhe se në kuadër të saj duhet të rritet vetëm buxheti për projektet rinore.

Para miratimit të rendit të ditës është zhvilluar edhe një debat lidhur me pikën e rendit të ditës vendim për dhënien në shfrytëzim të ngastrës kadastrale 36 19-0. Këshilltari i PDK-së, dr.Nehat Baftiu, ka kërkuar që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, duke u nisur nga fakti se propozuesi nuk ka dhënë arsyeshmëri bindëse se pse kjo ngastër të ndahet pa u konsultuar fare banorët e Komogllavës dhe të Gurzës."Komogllava nuk ka nevojë për bërllogun e pesë komunave, Komogllava ka nevojë për projektet ambientale, për parqe dhe gjelbërim e asesi për mbeturina kur dihet se tashmë aty ndodhet edhe qendra e transferit të mbeturinave e cila po ua rrezikon edhe burimin e ujit", ka thënë Baftiu.

Duke e arsyetuar këtë kërkesë, drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Faik Grainca, ka thënë se kjo është kërkesë e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe se ata e kanë kërkuar këtë lokacion për ta zgjeruar qendrën e transferit të mbeturinave, në kuadër të një projekti që do ta rris cilësinë e menaxhimit të mbeturinave.

"Kjo është kërkesë e ministrisë, ne ua kemi sjel lë, e juaja është të vendosni", ka thënë Grainca. Me shumicë votash u vendos që kjo pikë të debatohet në kuvend, ndërsa kuvendi votoj edhe shtyrjen e pikës në të cilën do të duhej të votohej zgjedhja e nënkryetarit të kuvendit nga radhët e komunitetit jo shumicë, gjë që ndikoi që këshilltari i vetëm nga radhët e komunitetit ashkali, Qazim Rrahamani, pas votimit ta braktisë seancën

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat