Nënë Tereza, flamurtare e madhe e humanizmit dhe solidaritet

Kosova

Nënë Tereza, flamurtare e madhe e humanizmit dhe solidaritet

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 12:54

Nënë Tereza ishte një luftëtare e madhe e shpresës njerëzore, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në manifestimin kushtuar Nënë Terezës, të mbajtur në Kaçanik tha se Nënë Tereza ishte bijë e këtij populli, që shpirtin solidar e shndërroi në një lëvizje botërore të humanizmit dhe bamirësisë.

Ai tha se këto ditë kremtojnë ditët e Nënë Terezës, bijës sonë të madhe, flamurtares së madhe të humanizmit dhe solidaritetit njerëzor, simbolit universal të bamirësisë.

“E zgjodhëm Kaçanikun që t'i bëjmë nderime kësaj figure të madhe të kombit tonë dhe të njerëzimit, sepse Nënë Tereza, ajo vasha e dikurshme e ndrojtur Gonxhe Bojaxhiu ishte bijë e këtyre trevave, Kaçanikut, Shkupit, Prizrenit. Ishte bijë e traditave të fuqishme të tolerancës fetare dhe solidaritetit, që janë të rrënjosura në kulturën dhe shpirtin tonë. Nënë Tereza ishte një luftëtare e madhe e shpresës njerëzore. Ajo lindi dhe jetoi përgjatë shekullit XX dhe gjithë jetën luftoi kundër barbarive që krijoj ky shekull, duke mbajtur të gjallë idealin e një bote më të mirë, më solidare dhe më të drejtë”, tha Veseli.

“18 vite pas vdekjes së bijës sonë të madhe, bota vazhdon të përballet ende me probleme dhe kriza të mëdha. Urrejtja, e ndërtuar mbi abuzimin e ideve politike dhe fetare,është duke bërë kërdinë në shumë pjesë të botës, është duke shkatërruar jetën e milionave njerëzve dhe duke i zhytur në mjerim social miliona të tjerë. Në këtë situate, mesazhi jetësor i Nënë Terezës, bëhet më aktual së kurrë. Bëhet i domosdoshëm. Dhe ky mesazh është se religjioni duhet të ketë vetëm një aleat- HUMANIZMIN. Në të kundërtën, ai shndërrohet në instrument të kriminelëve që luftojnë për sundim mbi popujt dhe jetën e njerëzve", ka theksuar kryetari i Kuvendit.

Veseli në këtë manifestim përmendi edhe gjendjen e refugjatëve sirianë.

“Sot kur rrugët e Ballkanit janë të mbushura me refugjatëtë ikur nga terrori i luftës në Siri, ne duhet që këtë frymëzim ta kthejmë në vepra konkrete, duke ndihmuar, kudo që mundemi, që dhimbjet e këtyre refugjatëve të pakësohen. Askush më mirë se sa ne nuk e kupton dhimbjen e braktisjes së atdheut për shkak të terrorit. Askush më mirë se sa ne nuk e ndjen trishtimin në fytyrat e fëmijëve të ikur nga lufta. Prandaj, është momenti që me aq sa kemi mundësi të bëhemi pjesë e solidaritetit me njerëzit e vuajtur. Kështu e vazhdojmë misionin e bijës sonë të madhe, Nënës Terezë. Dhe kështu e nderojmë më së miri vetë atë”, u shpreh kryeparlamentari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat