​Qirinj në Prishtinë në shenjë solidarizimi me refugjatët sirianë

Kosova

​Qirinj në Prishtinë në shenjë solidarizimi me refugjatët sirianë

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 21:18

Një grup qytetarët kanë ndezur sonte qirinj para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, për t’u solidarizuar me vuajtjet e refugjatëve sirianë që kanë vërshuar kufijtë e Evropës, e në veçanti pas gjetjes së dy fëmijëve të vdekur në bregdetin turk.

Vesë Kelmendi e cila iu bashkangjit këtij aksioni, tha se qëllimi kryesor ka qenë solidarizimi me refugjatët sirianë, sidomos pas rastit të mbytjes së dy fëmijëve në bregdetin turk.

Ajo theksoi se qytetarët e Kosovës duhet të solidarizohen me refugjatet nga Siria, pasi që edhe qytetarët e Kosovës ishin refugjatë në luftën e fundit, prandaj duhet të tregojnë solidarizimin me ta.

“Simbolika kryesore e këtij aksioni ka ardhur si vullnet i disa qytetarëve që janë mobilizuar në rrjete sociale, ku kam shprehur dëshirën për t’iu bashkangjitur ku ka për qëllim solidarizimin me refugjatët e Sirisë. Ditët e fundit kemi pasur rastin të shohim edhe shumë fotografi në rrjetet sociale të fëmijëve të vdekur. E një ndër arsyet ka qenë edhe solidarizimi i Ko sovës sidomos sepse vijmë edhe ne prej një vendi ku shumica prej neve kemi qenë refugjatë gjatë luftës, kështu që mendoj që duhet secili qytetar të kontribuojë në këtë solidarizim”, tha Kelmendi.

Pavarësisht numrit të madh të refugjatëve sirianë që ia kanë mësyrë vendeve të Evropës, shoqëria civile nuk ka pasur ndonjë organizim për t’u solidarizuar me ta. E, kjo sipas Kelmendit do duhej të ndodhte, sepse kur ndodhi rasti i sulmit në gazetën Charli Hebdo, ku u vranë disa punonjës të kësaj gazete satirike, u organizuan marshe përkrahëse, derisa për refugjatët sirianë dhe vdekjen e fëmijëve dhe grave nuk u organizua asnjë aksion.

“Për mua është shumë problematike çështja se çfarë roli lu an shoqëria civile në shoqërinë tonë. Mirëpo, ne patëm rastin para kësaj kur patëm ngjarjen e “Je Suis Charli”, ku në atë marsh janë bashkangjitur liderët botërorë, ku e gjithë Evropa ka qenë e tmerruar me atë fakt. Ndërsa sot e kemi anën tjetër të shumë fëmijëve, besa edhe shumë nënave dhe burrave ku janë në gjendje të tmerrshme në kufijtë dhe e shohim anën tjetër që nga Evropa nuk ka asnjë sinjal apo nga shoqëria civile për t’i kontribuuar këtij aksioni”, theksoi ajo.

Ditët e fundit në mediume dhe në rrjetet sociale dolën disa fotografi me dy fëmijë sirianë që ishin mbytur në bregdetin turk, çka ngriti shqetësime se nuk po bëhet asgjë për refugjatët sirianë që ia kanë mësyrë vendeve Evropiane.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat