Kusari-Lila: Akademik Pajazit Nushi i fali një epokë të ndritur vendit

Kosova

Kusari-Lila: Akademik Pajazit Nushi i fali një epokë të ndritur vendit

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 18:37

Jeta dhe vepra e akademik Pajazit Nushit është vlerësuar lartë nga kolegë, bashkëveprimtarë e drejtues institucionesh, në një mbledhje komemorative të organizuar sot nga Komuna e Gjakovës. Akademik Pajazit Nushi, u tha me këtë rast, po i kthehet Gjakovës përjetësisht, pranë malësisë së Gjakovës që e donte aq shumë.

Madje, u theksua, për të vlerësuar përkushtimin dhe kontributin e akademik Pajazit Nushit, ishte vështirë të gjendej një titull apo një emër i ndonjë dekorate.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila tha se vdekja e akademik Pajazit Nushit, ka lënë një hapësirë të pazëvendësueshme për Gjakovën, për Kosovën dhe për kombin shqiptarë.

“Biri i Gjakovës, intelektuali, akademiku, dijetari dhe veprimtari i shquar profesor Pajazit Nushi në jetën e tij i fali një epokë të ndritur vendit, duke treguar se njerëzit e mëdhenj nuk rreshtin së punuari deri në momentin e fundit. Rruga e gjatë e dijes që trasoi në jetën e tij do të mbetet e përhersh me dhe e paharruar, ngase Kosova dhe Gjakova kanë shumë nevojë të ecin në këtë rrugë dhe të arrijnë në nivelin ku edhe akademik Nushi kishte dëshirë ta shihte vendin e tij. Sot profesori i nderuar po i kthehet përjetësisht Gjakovës së tij, pranë Malësisë së Gjakovës që e donte shumë, vendi ku kaloi çastet me të bukura të fëmijërisë, ku takoi patriotë e trima, ku u inspirua atdhetarisht nga guximi i dajës së tij dhe ku frymoi ajrin e pastër të malësisë që i duhej shumë”, tha Kusari-Lila.

Profesori Neki Juniku, i cili ishte bashkëpunëtor i të ndjerit akademik Nushi, ka kujtuar qaste të shumta që ka kaluar me akademik Nushin, me të cilin tha se ishte plotë 50 vjet. Juniku ka folur edhe për kontributin e jashtëzakonshëm të akademik Nushit në punën shkencore.

“Me profesor Pajazit Nushin kam qenë pikërisht 50 vjet, 50 pranvera së bashku. Unë u përpoqa t’i kujtoj ato netët pa gjumë, me mbrëmje të llojllojshme, të këndshme, të bukura, krenare, disa të përgjakshme e të guximshme. Rruga jetësore e profesorit Pajazit Nushi tanimë është e njohur për të gjithë, por do shkruhet akoma për të. Unë do të ndalem në punën e tij shkencore, në veprimtarinë botuese në mishërimin e psikologjisë, në ngjarjet kombëtare në kulturën tonë në historinë tonë. Kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë Nushi ka dhënë në tekstet për matjen e inteligjencës dhe personalitetit, duke marrë parasysh së në botë këto janë bërë nga institute të tëra e jo nga individë, por këtë profesor Pajazit Nushi e bëri”, tha Juniku.

Djali i të akademikut të ndjerë Pajazit Nushit, Muhedin Nushi ka falënderuar të gjithë për kujtimin dhe vlerësimin e kontributit të babait të tij.

“Në këtë presion të jashtëzakonshëm të emocioneve dhe në pikëllim të thellë kam marrë obligim që t’i falënderohem komunës së Gjakovës e cila nën patronatin e kryetares Mimoza Kusari-Lila po organizohet kjo ceremoni mortore. Dua t’i falënderohem edhe ASHAK-ut, e cila sot organizoi mbledhje komemorative dhe homazhe të cilat u shprehen ndaj familjes sonë dhe figurës së babës sonë, prindit tonë të dashur”, tha Nushi.

Akademik Pajazit Nushi ka lindur më 8 janar 1933 në Gjakovë. Në vendlindje kreu shkollën fillore dhe shkollën normale, ndërsa, studimet i kreu më 28 shtator 1955 në Fakultetin Filozofik, Katedra e Psikologjisë. Akademi k Nushi ndërroi jetë më 2 shtator 2015 në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat