Hekurudha Milot-Prizren mbetet në letër, BE nuk jep financim

Kosova

Hekurudha Milot-Prizren mbetet në letër, BE nuk jep financim

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 12:24

Për qeverinë e Shqipërisë dhe atë të Kosovës, hekurudha Tiranë-Prishtinë apo Milot-Prizren siç njihet ndryshe ishte një ndër projektet më të diskutuara dhe më prioritare para Samitit të Vjenës, por mbeti më pak e përfolur pas mbylljes së këtij Samiti. Kjo për faktin se ky projekt nuk mori aprovimin në Samit; ndërkohë që u konsideruan si prioritare autostrada Nish-Prishtinë-Durrës dhe Korridori i Kaltër, - e thënë ndryshe autostrada Adriatiko-Joniane.

Lidhur me projektet që nuk u aprovuan në Samit, siç ishte edhe hekurdhua Tiranë-Prishtinë, në konferencën e fundit të tij për Vjenën, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u përgjigj nga Tirana se dëshira e Shqipërisë ishte e madhe, por të paktën jemi të inkurajuar nga BE.

Rama

"Janë procese shumë të komplikuara, shumë të koordinuara dhe që kërkojnë kohë. Pra, nuk është se ne marrim në sqetull menynë e dëshirave tona dhe shkojmë atje dhe themi: Urdhëroni. Kemi punuar një vit, së bashku me vendet e tjera dhe me Komisionin Evropian, për të përcaktuar të gjithë hartën e infrastrukturës rajonale, apo asaj që ata i thonë konektiviteti, unë i them ndërlidhja. Mbi këtë bazë dihet tani, për 15 vitet e ardhshme se cilat janë vijat e ndërlidhjes mes vendeve dhe mbi këtë bazë janë përcaktuar edhe prioritetet nga fillohet. Praktikisht në dy prioritetet e para, Shqipëria është pjesë: Korridori i Kaltër dhe rruga Nish-Prishtinë-Durrës. Besoj që duhet të jemi të inkurajuar, nuk po them të kënaqur. Asnjëherë të kënaqur me Bashkimin Europian, por gjithmonë me synim për të qenë të inkurajuar," u shpreh Rama.

Ministria e Transporteve

Ndërkohë burime zyrtare nga Ministria e Transporteve në Tiranë thanë për KosovaPress se lënia pas dore e këtij projekti (Hekurudha Tiranë-Prishtinë, të paktën për momentin), është për faktin se ka një kosto të lartë financiare dhe nga ana tjetër edhe për faktin se Shqipëria dhe Kosova ende nuk kanë shfrytëzuar sa duhet Rrugën e Kombit. Të paktën ky është argumentimi i dhënë nga BE, qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Nëse kapaciteti minimal i kësaj rruge është 20 mijë automjete në ditë, aktualisht është 4 mijë automjete; ndërkohë që kjo rrugë ende nuk është përfunduar, pasi duhet punuar ende me sinjalistikën dhe me disa segmente të tjera të pa mbyllura. Po ashtu, edhe dhënia me koncesion e mirëmbajtjes së kësaj rruge (Rruga e Kombit) është në proces dhe pavarësisht datave dhe afateve të përmendura më herët edhe nga vetë Ministri duket se edhe këtë vit ky proces nuk do të mund të përmbyllet.

"Ndërtim i hekurudhës Milot-Prizren kërkon një kosto të madhe financiare, një investim kolosal që kap shifrën e 850 milion eurove dhe që është gati e njëjtë me Rrugën e Kombit. Për momentin nuk është mundësia as për të nisur një studim fizibiliteti për këtë hekurudhë," thonë të njëjtat burime nga Ministria e Transporteve.

Berisha

Dy ditë para mbajtjes së Samitit të Vjenës, ishte ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha që iu bëri apel qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, të vinin si prioritet të tyre në Samit projektin e hekurudhës Milot-Prizren dhe asnjë projekt tjetër.

"Unë dua të them këtu se projekti i projekteve ështà « hekurudha Tiranë-Prishtinë, apo më thjesht Milot-Prizren. Është kjo hekurudhë që bën që Shqipëria të përfitojë në shkallë maksimale nga pozicioni i saj strategjik. Rruga e Kombit bëri që çdo vit jashtë parashikimeve, jashtë studimit të fizibilitetit, qytetarët shqiptarë të përfitojnë 250 deri në 300 milionë euro nga flukset e mëdha të tregut dhe njerëzore që ajo krijoi. Por rruga e tregut është vetëm gjysma e potencialit të jashtëzakonshëm. Hekurudha është përgjigjja përfundimtare. Hekurudha bën portet tona më të afërta për Kosovën, për Maqedoninë, për Bullgarinë, Rumaninë. Hekurudha është linja e fushës drejt Evropës Qendrore. Në samit shkohet me projekte rajonale. Nuk mund të shkojë qeveria e Tiranës dhe e Prishtinës me projekt tjetër më të rëndësishëm se hekurudha dhe duhet të kërkojnë mbështetje. Qeveria nuk mundet tu kthejë shpinën projekteve kaq të mëdha për inate personale. Nuk digjet për njà « plesht jorgani”, deklaroi ish kryeministri Sali Berisha.

Duket qartë se pa ndihmën e BE për të financuar këtë projekt, hekurudha Tiranë-Prishtinë do të mbetet një 'ëndërr' për shqiptarët, pasikostot janë tepër të larta dhe të pamundura për tu përballuar nga të dy qeveritë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat