I jepet lamtumira e fundit akademikut, Pajazit Nushi “simbol i dijes dhe i paqes”

Kosova

I jepet lamtumira e fundit akademikut, Pajazit Nushi “simbol i dijes dhe i paqes”

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 10:35

(E plotësuar) Pas ndarjes me akademikët Esat Stavileci e Mark Krasniqi, Kosova e ka humbur edhe një tjetër personalitet të arsimit dhe shkencës, të këtij kalibri, akademikun Pajazit Nushi.

Me nderime të larta, duke e rikujtuar me të gjitha vetitë që e kanë karakterizuar, akademik Nushi është varrosur të enjten në Gjakovë, në praninë e shumë bashkëpunëtorëve, miqve e qytetarëve nga e tërë Kosova.

Vdekja e akademik Pajazit Nushi u cilësua si një humbje e madhe jo vetëm për familjarët dhe miqtë e tij, por për gjithë shoqërinë shqiptare.

Kështu u tha sot në mbledhjen komemorative për nder të akademik Nushit e cila u mbajt në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku përveç familjarëve, miqëve dhe kolegëve, morën pjesë edhe personalitetet e larta të vendit presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe shumë personalitete tjera.

Me këtë rast, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Hivzi Islami, tha se vdekja e Pajazit Nushit është humbja e tretë me radhë dhe e rëndë për Akademinë brenda 20 ditëve, pas vdekjeve të akademikëve Esat Stavilevci dhe Mark Krasniqi.

Islami tha se nga Nushi po ndahen vetëm fizikisht, pasi që vdekja nuk mund t’i mposhtë veprat që ai la pas.

“Ne sot po ndahemi nga akademik Pajazit Nushi vetëm fizikisht, sepse trashëgimia që la pas e bëjnë emrin e këtij shkencëtari, profesori, edukatori, intelektuali dhe humanisti të mbetet gjallë për breza të tërë. Vdekja nuk mund të mposhtë njerëz të përmasave të tilla, ata mbesin gjallë përmes veprave të tyre”, ka thënë Islami.

Pas kësaj mbledhje komemorative, të gjithë të pranishmit dhe qytetarë të ndryshëm patën mundësi që deri në orën 12 të bëjnë homazhe pranë arkivolit të tij, ku më pas do të niset për në ceremoninë e varrimit në Gjakovë.

Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë, Simon Kuzhnini, të cilit i ka rënë të bashkëveprojë me Nushin, pasi që ai ka qenë njëri nga anëtarët e kryesisë së kësaj lidhje dhe njëri nga themeluesit e saj, tha se populli shqiptar sot është më i varfër se kurrë me humbjen e akademik Pajazit Nushi. Por, sipas tij, vepra, shkrimet dhe dituria e tij do t’i përcjellin edhe sot, si dhe brezat që do të vijnë.

Kuzhnini: Populli shqiptar është ndarë nga punëtori më i madh

“Sot populli shqiptar ë nga Kosova dhe mbarë kombi ndahet fizikisht prej burrit më të madh, për punëtorin më të madh, prej programeve më të mëdha të interesave të kombit tonë dhe në të gjitha rrugët që i ka pasur drejtim kombi jonë, ka qenë prezent Pajazit Nushi. Ai në organizmin dhe lidhjen shqiptare në botë ishte nënshkrues i programit me të gjithë akademikët e tjerë, si Esat Stavileci e Mark Krasniqi. Por, për Pajazit Nushin të flasësh asnjëherë me ditë, me muaj e me vite nuk mundet mi ra të gjithë ato të mira që i ka dhënë për popullin e Kosovës”, tha Kuzhnini.

Edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, vdekjen e Nushit e cilësoi si një humbje shumë të madhe për popullin sidomos për fushën e psikologjisë.

Ahmeti: Vdekja e Nushit, humbje e madhe

“Akademik Pajazit Nushi njihet për veprën e tij në fushën e psikologjisë, edhe në aspektin e trevave shqiptare si nj ë ndër njohësit më të mirë të fushës së psikologjisë. Gjithashtu, për kontributin e tij që ka dhënë vazhdimisht për funksionimin e mirë të shtetit në të gjitha periudhat, si dhe për ngritjen e kombit shqiptar në përgjithësi. Për këtë është një humbje e madhe, megjithatë akademik Pajzit Nushi ka lënë veprën e tij pas, dhe një familje të mrekullueshme, pasi që mua më ka rënë të punojë me birin e tij në komunë dhe të gjithë ata duhet të mburren me një prind si ai që e kanë pas”, tha Ahmeti.

Arkivoli me trupin e pajetë të akademik Pajazit Nushit është nisur për në Gjakovë në orën 12, ndërsa varrimi bëhet në orën 17:00.

***

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë ngushëlluar familjen Nushi me rastin e vdekjes së akademik Pajazit Nushit.

Nushi, një ndër personalitetet më të shquara të shkencës, arsimit e kulturës në Kosovë, ka ndërruar jetë të mërkurën në moshën 82-vjeçare.

Ai ka ligjëruar në Fakultetin Filozofik, ndërsa ka ushtruar edhe detyra të ndryshme administrative në Kosovë dhe në ish-federatën jugosllave, kryesisht me çështje të organizimit të sistemit arsimor, të punës shkencore dhe të krijimtarisë kulturore dhe artistike.

Presidentja e Kosovës, Atifeta Jahjaga, e ka përshkruar atë si “simbol të dijes dhe të paqes”.

Sot në Prishtinë do të mbahet një akadami përkujtimore për akademikun Nushi.





Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat